Fondi i Sigurimeve vazhdon biznesin me kompaninë farmaceutike të dënuar për mashtrim

“Omega Pharma Group”-kompania farmaceutike e dënuar nga Gjykata e Tiranës për mashtrim me skemën e ilaçeve të rimbursueshme i ka shpëtuar “listës së zezë” të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH dhe i është rikthyer biznesit me të, falë transformimit në një markë të re. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ish-pronari i Omega Pharma Group, Fatos Çausholli ka aktivizuar një  kontratë me Fondin në vitin 2017 në cilësinë e administratorit të një kompanie të re të quajtur “CFO Pharma”-ndonëse zotëron si kapitalet ashtu edhe detyrimet e kompanisë së dënuar.

Çausholli mori administrimin dhe pronësinë e “Omega Pharma” pasi i biri, Nadir Çausholli u shpall fajtor dhe u dënua me 2.6 vjet burg të pezulluara me kusht për veprat penale të falsifikimit dhe mashtrimit me tregtinë e ilaçeve të rimbursueshme-aktivitet që sipas vendimit të Gjykatës ishte kryer në dëm të FSDKSH. Në vendimin e korrikut 2016, Gjykata e Tiranës dënoi edhe kompaninë “Omega Pharma”, duke i hequr asaj të drejtën e tregtisë së barnave të rimbursueshme dhe të lidhjes së kontratës me FDSKSH për 3 vjet.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk e ka penguar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që t’i japë të drejtën e tregtisë së ilaçeve të rimbursueshme Çaushollit për vitin 2017-përmes kompanisë së re “CFO Pharma”. BIRN i drejtoi Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor një kërkesë për koment mbi kriteret e zbatuara për lidhjen e kontratës me CFO Pharma të Çaushollit, e cila trashëgon kapitalet dhe detyrimet e “Omega Pharma Group”. Ndonëse premtuan se do të kryenin verifikime, zyrtarët e Fondit nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN deri në botimin e këtij shkrimi.

BIRN i telefonoi gjithashtu numrit të shënuar në emrin e Fatos Çaushollit në databasen e FSDKSH- në të cilin u përgjigj djali i tij, Nadir Çausholli. Çausholli-i cili ndodhet në proces në Gjykatën e Apelit të Tiranës pasi ka kundërshtuar vendimin e dënimit të shkallës së parë, i tha BIRN se akuza e ngritur kundër tij ishte “një sulm i stisur” dhe sqaroi se kontrata e firmosur me Fondin nuk i përket Omega Pharmës, por një kompanie tjetër farmaceutike, të quajtur AERD Pharma. “Në dhjetor [2016] Fondit i janë dërguar dokumentet që ka ndryshuar emri dhe pronësia e kompanisë AERD Pharma si dhe dokumentet përkatëse, që tregojnë se as kompania dhe as pronari Fatos Çausholli nuk janë në ndjekje penale,” sqaroi Nadir Çausholli.

Dokumentet e siguruara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve tregojnë se kompania farmaceutike AERD Pharma u ble në 100 për qind të aksioneve nga Fatos Çausholli më 17 tetor 2016-vetëm tre muaj pas vendimit të Gjykatës. Kontrata e blerjes mban vlerën e 18 milionë lekëve. Me të blerë kompaninë-e cila kishte një kontratë aktive me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm-Çausholli i ndryshon asaj emrin në “CFO Pharma”.

Marrëveshja e përthithjes së kompanisë Omega Pharma Group nga kompania CFO Pharma.

Më 3 dhjetor 2016, CFO Pharma bëhet pronare e aksioneve dhe kapitaleve të “Omega Pharma Group” përmes një akti përthithjeje. Kapitalet e “Omega Pharma Group”, të cilat llogariten në 915 milionë lekë në momentin e transaksionit, i kalojnë “CFO Pharma”. Marrëveshja e përthitjes-një kopje e të cilës disponohet nga BIRN thekson se “të drejtat dhe detyrimet e Omega Pharma Group i kalojnë kompanisë CFO Pharma”. “Në përfundim të këtij procesi, Omega Pharma Group” do të prishet pa likujdim, duke kaluar plotësisht trashëgiminë e saj ekonomike, financiare dhe ligjore tek kompania përfituese. Shoqëria CFO Pharma nuk merr përsipër gjoba dhe penalitete të cilat i vihen Omega Pharma Group pas këtij bashkimi,” shkruhet në marrëveshje.

Në tetor 2015, kompania “Omega Pharma Group” dhe ish-pronari i saj, Nadir Çausholli u kallëzuan nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor pasi ishte konstatuar një rritje e pazakontë e konsumimit të barit “Ketosteril”-një ilaç i rimbursueshëm. FSDKSH-e cila administron skemën e sigurimeve shërndetësore dhe financon paketat e shërbimit mjekësor dhe barnave të rimbursueshme për popullatën, kishte identifikuar depon farmaceutike “Omega Pharma” si furnitoren e këtij bari.

Hetimet e mëtejshme zbuluan se Çausholli dhe “Omega Pharma Group” kishin krijuar fatura fiktive blerjeje të këtij ilaçi, me qëllimin për të justifikuar faturat e shumta të shitjes ndaj farmacive të caktuara. Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës argumentoi se Çausholli dhe kompania e tij i kishin ndihmuar këto farmaci në aktivitetin e tyre mashtrues ndaj FSDKSH përmes falsifikimit të recetave mjekësore, duke përfituar më pas shuma të konsiderueshme nga buxheti i tij.

Avokati i Çaushollit dhe i kompanisë Omega Pharma, Petrit Ismaili i tha BIRN se akuzat e ngritura nga Prokuroria nuk qëndrojnë dhe se për këtë arsye ata kanë apeluar vendimin e Gjykatës së shkallës së parë. “Deri sa të ketë një vendim të formës së prerë, kompania dhe pronarët e saj janë të pafajshëm,”tha avokati Ismaili për BIRN. Çausholli dhe “Omega Pharma Group” nuk ishin të vetmit e hetuar për skemën e mashtrimit me ilaçet e rimbursueshme, që sipas Prokurorisë i shkaktuan FSDKSH një dëm prej 2.2 milionë eurosh. Një rrjet farmacish fantazmë dhe zyrtarë të FSDKSH u përfshinë gjithashtu në hetime dhe u akuzuan për veprat e mashtrimit apo të shpërdorimit të detyrës.

Për të shmangur problematika të ngjashme, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili ka ndërruar disa drejtorë që prej zbulimit të skandalit, deklaroi se ka shtrënguar kriteret për lidhjen e kontratave me importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë. Në listën e dokumenteve, të publikuar në faqen zyrtare kërkohen vërtetime nga Prokuroria dhe nga gjykatat, të cilat tregojnë se kompanitë, administratorët apo ortakët e tyre nuk janë në hetim apo në procese gjyqësore me Fondin. Megjithatë, kriteret zyrtare nuk e kanë penguar FSDKSH që të përfshijë mes klientëve aktualë të saj edhe kompaninë që trashëgoi kapitalet e Omega Pharma-të cilën e kallëzoi në Prokurori vetëm dy vite më parë./ BIRN

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne