Forcat e armatosura të Pakistanit mbështesin Azerbejxhanin

Shefi i forcave të armatosura të Pakistanit deklaroi të premten se forcat e tij mbështesin plotësisht qëndrimin e Azerbajxhanit lidhur me Malësinë e Karabakut të pushtuar.

Ambasadori i Azerbajxhanit në Pakistan, Ali Alizada, u takua me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Nadeem Raza në selinë e Shtabit të Përgjithshëm në qytetin garnizon Rawalpindi, për të diskutuar çështjet me interes dypalësh dhe sigurinë rajonale, sipas një deklarate nga krahu mediatik i ushtrisë për Marrëdhëniet me Publikun (ISPR).

Shefi i forcave ushtarake riafirmoi marrëdhënien vëllazërore midis dy vendeve dhe tha se ajo është e ndërtuar mbi baza të forta.

“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm tha se Forcat e Armatosura të Pakistanit mbështesin plotësisht qëndrimin e Azerbajxhanit për Malësinë e Karabakut, i cili është në përputhje me disa rezoluta të miratuara njëzëri të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, sipas ISPR.

Ambasadori falënderoi Raza-n për mbështetjen e Pakistanit për çështjen e drejtë të Azerbajxhanit.

“I kënaqur që thirra gjeneralin Nadeem Raza, Kreun e Shtabit të Përgjithshëm të Pakistanit, dhe që diskutuam mënyrat e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe ushtarake midis vendeve tona vëllazërore”, shkroi ai në Twitter pas takimit.

Javën e kaluar, Ministria e Jashtme e Pakistanit hodhi poshtë raportet e mediave indiane se Pakistani po lufton së bashku me forcat e Azerbajxhanit kundër Armenisë në Malësinë e Karabakut të okupuar, duke i quajtur këto raportime si “të papërgjegjshme, spekulative dhe të pabaza”.

Ministria gjithashtu tha se mbështet qëndrimin e Azerbajxhanit lidhur me Malësinë e Karabakut, i cili është në përputhje me disa rezoluta të miratuara njëzëri të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Përleshjet e reja shpërthyen më 27 shtator dhe që prej asaj kohe, Armenia ka vazhduar sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, duke shkatuar viktima.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut ose Nagorno-Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka qenë nën okupimin ilegal të Armenisë për rreth tre dekada.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, si dhe shumë organizata ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.

Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkëkryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA, u formua në vitin 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por pa rezultat. Megjithatë, në vitin 1994 u arrit një armëpushim.

Shumë fuqi botërore, përfshirë Rusinë, Francën dhe SHBA, kanë kërkuar armëpushim të menjëhershëm./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne