Forcat e Haftarit sulmuan konviktin e akademisë ushtarake, dhjetëra të vdekur

Në deklaratën e bërë nga qendra e shëndetësisë në kuadër të ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se si pasojë e sulmit të ndodhur mbrëmë vonë kanë humbur jetën të paktën 30 persona shumica e të cilëve fëmijë, ndërsa janë plagosur 33 të tjerë.

Zyrtarët e spitalit theksuan se shumica e të vdekurve janë të moshës 18-25 vjeç.

Halid al-Mahjub, zyrtar i forcave të Haftarit, në një deklaratë për televizionin lokal, pretendoi se në akademinë në fjalë janë arsimuar “grupet milice të lidhura me fiset”.

Një nxënës i akademisë, dëshmitar okular, Abdulmelik Miftah Zeydan (22), në deklaratën për AA tha se pasi kanë ngrënë darkën nxënësit janë mbledhur në oborrin e akademisë.

Kryeqyteti i Libisë, Tripoli, që 10 muaj është nën sulmet e milicëve të Khalifa Haftarit. Në kryeqytet ka pritje të madhe që ushtria turke do t’i ndalojë sulmet e milicëve, pas miratimit të mocionit nga ana e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë.

Qeveria bën thirrje për ndërprerjen e sulmeve të Haftarit në Tripoli

Qeveria e Pajtimit Kombëtare (GNA) e Libisë, e njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB), ka bërë thirrje për veprim ndërkombëtar për të ndaluar sulmet e forcave të Libisë lindore ndaj civilëve në kryeqytetin Tripoli.

Përmes një kumtese, Ministria e Jashtme e GNA-së i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të sjellë para drejtësisë Haftarin dhe bashkëpunëtorët e tij për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit.

“Ky akt brutal dhe frikacak në Tripoli i tregon tërë botës se milicitë e Haftarit nuk luftojnë terrorizmin, ashtu si pretendojnë, por kryejnë terrorizëm dhe shkelje të ligjit humanitar ndërkombëtar”, thonë nga ministria.

Sipas kumtesës, ministri i Punëve të Jashtme Mohamed Siala ka udhëzuar Misionin Libian të OKB-së që të kërkojë mbledhjen e një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të dënuar krimet e Haftarit në Tripoli.

Ndërkohë, pas incidentit Këshilli i Lartë Shtetëror shpalli ditë zie.

Pas sulmit, në shumë qytete përfshirë Tripoli, Misrata dhe Zuvvara qytetarët zhvilluan protesta kundër sulmit të ushtarit puçist Haftar.

Që nga rrëzimi i udhëheqësit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne