Forcat e ushtrisë turke parandaluan një grusht shteti në Katar

Forcat ushtarake turke luajtën një rol të madh në parandalimin e një grusht shteti kundër Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani në një nga momentet e krizës politike nga më të rëndat në Lindjen e Mesme, që kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti dhe Bahreini prenë lidhjet e tyre me Katarin më 5 qershor 2017, sipas një raporti të një gazete të përditshme turke.

Redaktori i gazetës Yeni Şafak, Mehmet Acet pohoi se duke i siguruar mbrojtje rezidencës së Emirit të Katarit në Doha në natën e parë të krizës, forcat turke ndaluan një grusht shteti dhe kontribuan në sovranitetin dhe stabilitetin kombëtar të vendit.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe i arsyetuan marrëdhëniet e shkëputura me lidhjet e dyshara të Katarit me “grupet terroriste” dhe lidhjet e ngushta me Iranin. “Trupat Saudite dhe ato të Emirateve të Bashkuara Arabe nuk patën shanse për ta rrëzuar Emirin e Katarit dhe ju desh që të ktheheshin mbrapsh në gjysmë të rrugës”, tha raporti.

Sipas Mehmet Acet, njëri nga anëtarët e qeverisë që kërkoi të mos i përmendej emri, konfirmoi se më 5 qershor gati 200 ushtarë turq ishin urdhëruar që të mbronin gjatë natës rezidencën e Emirit të Katarit në rast se do kryhej ndonjë sulm për ta eleminuar apo rrëzuar nga pushteti Emirin e Katarit.

Aeroplanët luftarakë që i përkisnin Forcave Ajrore Turke thuhet se ishin gjithashtu në gadishmëri.

Masa e mbrojtjes së vendbanimit erdhi pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kreu një telefonatë mbi çështjen me Emirin e Katarit.

Raportohet se Emiri i Katarit i kishte kërkuar Ankarasë që të merrte masa dhe të mbronte Dohën përpara se trupat e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Arabisë Saudite të bënin një grusht shteti.

Përveç përpjekjeve diplomatike për të zgjidhur krizën, Turqia gjithashtu ka dërguar anije dhe avionë me ushqime të ndryshme përfshirë fruta, produkte të qumështit dhe të pulave, për të ndihmuar Katarin që të përballojë embargon. Dërgesat e furnizimeve u dërguan me afro 200 aeroplanë mallrash që nga fillimi i krizës./Dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne