Bota

Forcat izraelite përdorin shtëpitë e palestinezëve si poste ushtarake

Forcat izraelite sulmuan një shtëpi palestineze në fshatin e pushtuar jugor të Khursas në Bregun Perëndimor të enjten në mëngjes, dhe krijuan një post të përkohshëm ushtarak atje pasi dëbuan banorët e shtëpisë, njoftoi agjensia e lajmeve Ma’an.

Sipas burimeve lokale, trupat izraelite sulmuan shtëpinë e Khalid al-Shahatit dhe përzunë jashtë familjen e tij, duke u thënë atyre se shtëpia do të ishte e zënë deri më 4 pasdite.

Ushtarët gjithashtu varën një flamur izraelit jashtë shtëpisë.

Lajmi pason një numër rastesh të ngjashme që kanë ndodhur në vitin 2016, kur trupat izraelite përdornin shtëpitë palestineze si poste të përkohshme ushtarake.

Në rastet e mëparshme, pothuajse të gjitha shtëpitë e pushtuara ishin pranë vendbanimeve të paligjshme izraelite. Sidoqoftë, fshati Khusra nuk është i vendosur në afërsi të vendbanimeve dhe as bazave ushtarake.

Prania dhe zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve ekzistuese të paligjshme nga ana e Izraelit, dhe ndërtimi i posteve të vendbanimit është kritikuar në mënyrë të përsëritur si një pengesë për proçesin e paqes izraelito-palestinez nga ana e aktivistëve të të drejtave të njeriut.

Në dhjetor të vitit 2016, Rezoluta 2334 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së konfirmoi paligjshmërinë e vendbanimeve izraelite, dhei bëri qytetarët izraelitë të përfshirë në ndërtime në Bregun Perëndimor të prekshëm ndaj padive në të gjithë botën.

Në Bregun Perëndimor, Izraeli vazhdon të zgjerojë vendbanimet e tij, pavarësisht presionit nga bashkësia ndërkombëtare që të tërhiqet. / © Gazeta Impakt