Forcat izraelite plagosin 6 palestinezë në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite kanë plagosur gjashtë palestinezë me plumba plastike gjatë protestave të organizuara në Bregun Perëndimor me rastin e 72-vjetorit të Nakbas (Katastrofa e madhe), që i referohet dëbimit masiv të palestinezëve për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri izraelit.

Sipas burimeve lokale, një grup palestinezësh protestuan në qytezën As-Sawiya në Nablus me rastin e Nakbas dhe në shenjë reagimi ndaj vendbanimeve ilegale hebreje.

Forcat izraelite intervenuan ndaj protestuesve me plumba plastike dhe gaz lotsjellës.

Gjysmëhëna e Kuqe e Palestinës njoftoi se gjashtë palestinezë janë plagosur me plumba plastike, ndërsa shumë protestues të tjerë janë prekur nga gazi.

Palestinezët e shënojnë 15 majin si Nakba (Katastrofa e madhe), pasi 72 vjet më parë, në vitin 1948, afro një milionë palestinezë u dëbuan nga tokat e tyre për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit izraelit, i cili shpalli pavarësinë më 14 maj të vitit 1948.

Gjatë Nakbas, 675 fshatra të palestinezëve u shkatërruan, kurse mijëra palestinezë u vranë.

Si pasojë e këtyre ngjarjeve, 80 për qind e palestinezëve aktualisht jetojnë me statusin e refugjatëve në pjesë të ndryshme të botës./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne