Forcat izraelite sulmojnë besimtarët në xhaminë Al-Aksa

Forcat izraelite sulmuan adhuruesit palestinezë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kuds, duke lënduar të paktën 37 persona, bëjnë me dije zyrtarët palestinezë.

“Disa palestinezë u lënduan gjatë përplasjeve me forcat izraelite brenda kompleksit të xhamisë Al-Aksa”, tha Firas al-Dibs, zëdhënës i Autoritetit jordanez të Çështjeve Fetare të Kudsit.

“Palestinezët u lënduan derisa po parandalonin kolonët hebrenj që të hyjnë në xhaminë e shenjtë”, tha ai.

Në ndërkohë, Gjysmëhëna e Kuqe palestineze ka bërë të ditur se 37 palestinezë u plagosën pasi forcat izraelite sulmuan besimtarët me plumba gome, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.

“Besimtarët kanë marrë lëndime të lehta dhe 14 prej tyre u transferuan në spitale për trajtim të mëtejmë”, thuhet në njoftim.

Më herët gjatë të dielës, policia izraelite parandaloi kolonët që të hyjnë në Xhaminë Al-Aksa, njoftuan mediat izraelite.

Policia ka përmendur prezencën e dhjetëra mijëra besimtarëve palestinezë dhe mundësisë së madhe për përplasje.

Autoritetet fetare palestineze në Kuds vendosën që të prolongojnë namazin e Kurban Bajramit në orën 07:30 në vend të 06:30 sipas kohës lokale, për të trajtuar hyrjen në Al-Aksa në të ashtuquajturën “memorie të shkatërrimit të Tempullit”.

Organizatat ekstreme hebreje, të njohura si grupet “Temple Mount”, kanë bërë thirrje për tubime masive në Al-Alsa gjatë kësaj jave.

Izraeli e okupoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967.

Përmes një lëvizjeje që asnjëherë nuk u njoh nga komuniteti ndërkombëtar, Izraeli aneksoi tërë qytetin në vitin 1980, duke pretenduar se është kryeqyteti “i përhershëm dhe i pandashëm” i shtetit të vetëshpallur izraelit.

Kudsi është qytet i shenjtë për muslimanët, krishterët dhe hebrenjtë, ku ndodhet edhe Xhamija Al-Aksa e cila për muslimanët paraqet tempullin e tretë më të shenjtë. Hebrenjtë i referohen zonës si “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ajo ishte lokacioni i dy tempujve hebreje në kohët e lashta. Ai gjithashtu përfshin edhe Kishën e Varrit të Shenjtë, një nga vendet më të shenjta për krishterët në botë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne