Forcat izraelite vrasin invalidin palestinez që kishte dalë në protestë kundër hapjes së ambasadës amerikane në Jeruzalem

Një palestinez që humbi të dyja këmbët në vitin 2008 nga një sulm ajror izraelit, u vra nga forcat izraelite gjatë protestës së zhvilluar pranë kufirit të Gazës që u krye për të kundërshtuar hapjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem.

Fadi Abu Salah, 29 vjeç, ishte pjesëmarrës në tubimet anti-okupuese në Rripin e Gazës, kur u vra nga një snajper izraelit. Ai u bë invalid i dyfishtë nga një sulm ajror izraelit gjatë Luftës së Gazës në vitin 2008.

Kjo nuk është hera e parë që forcat izraelite vrasin protestues invalidë. Në muajin janar, 29-vjeçari Ibrahim Abu Thuraya, i cili i kishte humbur të dyja këmbët në një sulm izraelit një dekadë më parë, u qëllua në kokë në protestat pranë kufirit të Gazës.

Pas një hetimi të nisur, ushtria izraelite tha se nuk e kishte qëlluar qëllimisht Abu Thurajan dhe nuk gjeti prova tek ushtarët për ndonjë “dobësim të moralit apo dështim profesional”.

Që nga mëngjesi i të hënës, janë vrarë rreth 52 protestues palestinezë dhe më shumë se 1,700 janë plagosur nga forcat ushtarake izraelite të vendosura përgjatë anës tjetër të kufirit, raporton Ministria Palestineze e Shëndetësisë.

Tubimet, që synojnë përkujtimin e përvjetorit të Nakbas dhe protestojnë për zhvendosjen e ambasadës së SHBA-së nga Tel Avivi në Jeruzalem, do të kulmojnë të martën, më 15 maj./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne