Forcat turke rinovojnë shkollën në veri të Sirisë

Ministria turke e Mbrojtjes ka njoftuar se kanë rinovuar një shkollë që ishte dëmtuar rëndë nga grupi terrorist YPG/PKK, duke e kthyer atë përsëri në një qendër edukimi.

“Ushtarët tanë heroikë jo vetëm që sjellin paqe, siguri, rrugë, ujë dhe energji elektrike me institucionet tjera të qeverisë sonë, por ndërtojnë edhe të ardhmen për fëmijët sirianë duke i shndërruar sërish në qendra edukimi shkollat që terroristët e PKK/YPG-së i përdornin si seli”, thuhet në një postim të ministrisë në Twitter, ku është publikuar edhe një video e shkurtër e projektit.

“Forcat e Armatosura Turke, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe zyra e Guvernatorit të provincës Şanlıurfa kanë punuar paralelisht me vëllezërit tanë sirianë duke e bërë shkollën në përputhje me standardet arsimore”, thuhet në videon e cila shfaq pjesën e brendshme dhe të jashtme të shkollës së rinovuar Nukra në qytetin Ras al-Ayn të Sirisë.

Në video tregohet se shkollës i është shtuar edhe kopshti i fëmijëve.

Turqia më 9 tetor filloi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat me qëllim të sigurimit të kufijve të Turqisë, kthimit të sigurt të refugjatëve sirianë dhe sigurimit të integritetit territorial të Sirisë.

Që atëherë, Turqia arriti marrëveshje me SHBA-të dhe Rusinë për të detyruar terroristët e YPG/PKK-së që të tërhiqen nga zona e sigurt e planifikuar.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e gati 40.000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne