Formohet Grupi i Ohrit, në fokus rrugëtimi i Maqedonise ne NATO

Kryeministri Zaev tha se grupi i Ohrit do të angazhohet për të përfunduar punët e nevojshme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një konferencë të përbashkët për mediat me ish-sekretarin e NATO-s, George Robertson, të mbajtur në Shkup, promovoi Grupin e Ohrit, që ka për qëllim të mbështes vendin drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE).

Gjatë shpalosjes së punës së këtij grupi, kryeministri Zaev tha se grupi i Ohrit do të angazhohet për të përfunduar punët e nevojshme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE.

Ai tha se grupi përbëhet nga miq të konfirmuar të Maqedonisë, të tillë si ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Robertson, ish presidenti i Bulgarisë, Rosen Plevneliev, por edhe Havier Sillana, Carl Bildt, Robert Gelbart, Alen Leroa, Wolfgang Ishinger dhe të tjerë.

“Grupi i Ohrit për mbështetje të Maqedonisë është një grup joformal me anëtarë me përvojë të ndryshme, me një të kaluar të jashtëzakonshme politike. Aktivitetet e anëtarëve të grupit të cilët kanë vulosur karrierën e tyre diplomatike do të paraqesin mbështetje të madhe për tentimet e vendit për një Maqedoni demokratike dhe evropiane”, tha Zaev, duke shtuar se Maqedonia dhe NATO tashmë janë miq për 22 vite, gjatë të cilave Maqedonia dëshmoi përkushtimin ndaj këtij partneriteti.

Kryeministri Zaev u ndal edhe tek hapi i madh që ka bërë vendi, pasi siç tha, nga një shtet i kapur u bë një shtet demokratik, ku sundon ligji. Ai shprehu shpresë që viti 2018 të jetë vit historik për Maqedoninë, por edhe për rajonin.

“Dëshirojmë që gjatë këtij viti të marrim ftesën për në NATO dhe të bëhemi anëtari i 30-të i NATO-s. Prandaj, kërkojmë mbështetjen nga të gjithë anëtarët e NATO-së, BE-së dhe miqve të shtetit tonë. Ky grup paraqet sinjal të fuqishëm për një Maqedoni demokratike dhe të orientuar nga Evropa”, theksoi Zaev.

Ish-sekretari i NATO-s Robertson, nga ana e tij, evokoi kujtimet nga viti 2001 kur ka pasur një rol për dhënien fund të konfliktit të armatosur në Maqedoni. Ai tha se rëndësia e qytetit të Ohrit ka vendosur edhe emrin e grupit.

“Shteti i cili ishte në prag të luftës civile u shndërrua në një vend i cili po troket në portat evropiane”, tha Robertson.

I pyetur të komentojë çështjen e emrit dhe rrezikun nga mosanëtarësimi në NATO, Robertson tha se grupi i tij do të këshilloj qeverinë e Maqedonisë dhe ministrat, por theksoi se çështjet e rëndësishme vendi do të duhet t’i zgjidh vet.

“Janë disa çështje të cilat do të duhet të zgjidhen nga Maqedonia dhe Greqia dhe fqinjët, të cilët do të duhet të parashtrojnë pyetjen se si do të dëshironin gjeneratat e ardhshme që ne të votojmë dhe të veprojmë sot”, tha Robertson.

Ai shtoi se është me rëndësi që Maqedonia dhe qytetarët e saj të angazhohen, të marrin vendime, që mund të mos jenë të lehtë, por të rëndësishëm për të ardhmen.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne