Foshnja indiane lind ‘shtatzënë’ me binjakun e tij

Një fëmijë në Indi lindi “shtatzënë” me binjakun gjysmë të formuar, një rast i rrallë që ka habitur gjithë mjekët e vendit.

Një masë me prani të eshtrave u zbulua në fillim të korrikut në abdomenin e fetusit të atëhershëm gjatë një skanimi rutinë të nënës shtatzënë 19-vjeçare, tha radiologia Bhavna Thorat.

“Në skanimet pas lindjes, ne pamë një tjetër fëmijë gjysmë të formuar me një tru, krah dhe këmbë në një qeskë fetale në barkun e foshnjës”, tha Thorat.

“Nëna kishte konceptuar binjakë, por këtu një binjak u mbështoll në trupin e binjakut tjetër, duke çuar në gjendjen e një binjaku pritës dhe një binjaku parazit, i cili u rrit deri në 13 javë dhe më pas u ndal”, tha ajo.

Ky ishte një rast i rrallë i fetusit brenda fetusit, një anomali kongenitale në të cilën një fetus i keqformuar dhe parazitar rritet brenda trupit të një infanti, shtoi Thorat.

Pas lindjes së tij më 20 korrik në spitalin Bilal në Thane, pranë qytetit perëndimor të Mumbait, foshnja iu nënshtrua operacionit javën e kaluar për të hequr fetusin.

Kirurgët pediatrikë në një spital të veçantë ndërhynë më 25 korrik për të hequr binjakun e palindur, një mashkull me gjatësi rreth 7 cm dhe që peshonte rreth 150 gramë.

“Nuk kishte komplikacione, si nëna dhe foshnja ende janë në spital por janë të shëndetshëm”, tha gjinekologia Neena Nichlani për DPA.

Nichlani dhe Thorat thanë se vetëm 100 raste të tilla janë dokumentuar në mbarë botën. Një fetus brenda fetusit vlerësohet të ndodhë një herë në çdo 500,000 lindje të gjalla, tha Thorat. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne