FOTO/ Thellohet skandali me karburantet “Gulf”

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kërkuar në datën 19 prill vendosjen e masës së sigurimit të detyrimit tatimor për kompaninë Sun Petroleum Albania, e cila tregtonte markën Gulf. Kompania ishte në qendër të vëmendjes tre ditët e fundit, pasi ajo ndërpreu furnizimin me karburant në pikat e saj, ndërkohë që rezultoi që kishte shitur mijëra tollona me çmim më të lirë sesa tregu (120-130 lekë për litër nga 165-178 lekë për litër që është mesatarisht në treg).

Sipas kërkesës së dorëzuar nga tatimet në Qendrën Kombëtare të biznesit, ku i kërkohet kësaj të fundit të mos lejojë tjetërsimin e mbi pasuritë dhë të drejtat pasurore që i përkasin këtij tatimpaguesi deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve tatimore, rezulton që detyrimi i krijuar nga kompania, përfshirë interesa dhe gjoba është 40.7 milionë lekë, ose rreth 300 mijë euro.

Pjesën më të madhe të këtij detyrimi, me rreth 66% të totalit është TVSH (27.5 milionë lekë), e ndjekur nga sigurimet me 6.5 milionë lekë, ose rreth 50 mijë euro, një shumë që në fakt u takon punonjësve që kanë punuar në këtë kompani. Në të njëjtën shumë është dhe detyrimi për tatimin e mbajtur në burim, ndërsa për tatim fitimin ka vetëm një gjobë prej 10 mijë lekësh.
Tatimet pohojnë se subjektit i është dërguar njoftimi dhe kërkesa për të paguar, por ai nuk ka paguar ende.

Rasti i Gulf

Askush nuk po u jep zgjidhje konsumatorëve që kanë blerë tollona se çfarë do të bëhet, teksa të dy kompanitë e lidhura me të Sun Petroleum Albania (e pakicës) dhe Sun Petroleum Albania Trading (e shumicës) janë offshore dhe si të tilla është e pamundur të identifikohen aksionerët. Aksioner zyrtar është Universal Energy Group, me seli në Delaware të SHBA-ve, një zonë e njohur për krijimin e kompanive guackë.

Burime nga tregu pohuan se muajin e fundit Gulf kishte shitur tollona edhe me 120 lekë për litër, që është 25-40% më lirë se nafta që tregtohet në pikat e tjera të pakicës (165-178 lekë/litër), në një skemë mini piramidë, teksa nafta ka mbaruar dhe tollonat kanë mbetur në duart e konsumatorëve.

Aktorët e tregut pohojnë se në pikat e pakicës së Gulf është tregtuar nafta e rafinerisë ARMO, e cila ka punuar deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar. ARMO shfrytëzohej nga kompania IRTC (edhe kjo një offshore) që prej tetorit të vitit 2016 dhe e ndërpreu aktivitetin në nëntor 2017, pasi Bankers Petroleum, që e furnizonte me naftë bruto ndërpreu marrëdhënie për shkak të mospagesave. Në momentin që ndërpreu aktivitetin, IRTC kishte rreth 30 milionë euro detyrime të papaguara, sipas burimeve zyrtare të tatimeve në një material për Komisionin e Ekonomisë. Burime nga tregu pohojnë se krahas tatimeve, Sun Petroleum ka krijuar miliona detyrime edhe ndaj furnitorëve.

Burimi: Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne