Fotot e takimit Trump-Lavrov shkaktojnë debate në SHBA

Publikimi i fotove të takimit me dyer të mbyllura mes presidentit të SHBA dhe ministrit të Jashtëm të Rusisë ka shkaktuar telashe të reja për qeverinë e Donald Trump.

Në këtë takim, ku përveç ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov, ndodhej edhe ambasadori rus në Uashington, Sergej Kisliak, asnjë fotograf i mediave amerikane nuk u lejua të bënte foto. Megjithatë, fotografi i posaçëm i ministrit të Jashtëm të Rusisë mundi të fotografojë çastin e shtrëngimit të duarve mes Trump, Lavrov dhe Kisliak dhe të qeshurat e presidentit Trump me funksionarët rusë. Këto foto i publikoi Ministria e Jashtme e Rusisë, ndërsa sektori i mediave i Shtëpisë së Bardhë nuk publikoi asnjë foto. Thuhet se pritja që iu rezervua Lavrovit në Uashington ishte e nivelit që Shtëpia e Bardhë ua rezervon vetëm krerëve të shteteve. Shtrëngimi i duarve mes Trump dhe ambasadorit Kisliak që është në qendër të dosjes së bashkëpunimit të fshehtë mes Trumpit dhe Rusisë ka shkaktuar dyshime të mëdha në qarqet politike e mediatike amerikane. Ndërkohë, në Uashington ende janë të shokuar nga shkarkimi i shefit të FBI James Comey, i cili po hetonte mbi ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Ish-kreu i FBI-së po drejtonte një hetim mbi lidhjet mes zyrtarëve të fushatës zgjedhore të presidentit Trump dhe zyrtarëve rusë, së bashku me ndërhyrjen e mundshme të Moskës në presidencialet e vitit të kaluar. Verifikimet e FBI-së, presidenti i konsideron një “farsë”, por pretendimet e tij janë kundërshtuar edhe nga drejtuesi i përkohshëm i saj, Andrew McCabe. Shkarkimi i Comey përbën pikën kulmore të një marrëdhënieje të tensionuar njëvjeçare mes tij dhe Donald Trump. Por drejtori në detyrë i FBI-së, Andrew McCabe, deklaroi se hetimi i Byrosë Federale të Hetimit për lidhjet e pretenduara mes Rusisë dhe ekipit elektoral të Donald Trump do të vazhdojë, pa u penguar nga shkarkimi i ish-drejtorit James Comey, apo nga faktorë të tjerë. McCabe e cilësoi gjithashtu hetimin për Rusinë si një hetim tejet të rëndësishëm, një tjetër kundërshtim ndaj komenteve të Shtëpisë së Bardhë, zyrtarë të së cilës thanë se ky hetim ishte një nga gjërat më të vogla në duart e FBI-së.

McCabe deklaroi se FBI-ja ka burime të mjaftueshme për të kryer hetimin e çështjes së Rusisë, ndërsa theksoi se, pavarësisht spekulimeve, nuk ka asnjë mënyrë për të ndaluar burrat dhe gratë që punojnë në FBI, të kryejnë detyrën e tyre në mbrojtje të popullit dhe Kushtetutës amerikane. Këto deklarata krijuan një situatë në tensionuar gjatë vizitës së shefit të diplomacisë ruse në Uashington, prandaj Shtëpia e Bardhë nuk ftoi asnjë përfaqësues të mediave amerikane për të përcjellë takimin Trump-Lavrov. Mediat amerikane theksuan se një qëndrim i tillë i Donald Trump synon devijimin e hetimeve mbi lidhjet e fshehta mes qeverisë së tij dhe Moskës. Por Trump është i mendimit se anëtarët e stafit të mediave të Shtëpisë së Bardhë janë ish anëtarë të stafit të Obamas dhe shfrytëzojnë çdo rast për të dëmtuar imazhin e presidentit Trump dhe marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë. Sidoqoftë, në situatën trazuar në Uashington, publikimi i pamjeve të buzëqeshjeve të Donald Trump në takim me funksionarët rusë në Shtëpinë e Bardhë, do të dëmtojë pozitën e administratës amerikane dhe ka mundësi që këto foto të ndikojnë në përshkallëzimin e dosjes së lidhjeve të fshehta Trump-Rusi./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne