Franca dhe Gjermania zotohen për të rritur mbrojtjen dhe sigurinë e BE-së

Liderët e Gjermanisë dhe Francës njoftuan të martën planet për të forcuar aftësitë e Bashkimit Evropian në trajtimin e sfidave ndërkombëtare të sigurisë dhe krizës së refugjatëve.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin francez, Emmanuel Macron, pas bisedimeve të tyre në Kështjellën Meseberg pranë Berlinit, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi se ata diskutuan nisma të reja të ndryshme për të reformuar dhe forcuar BE-në.

“Ne duam që Evropa të gjejë vendin e saj në një botë shumëpalëshe, ne duam që Evropa të luajë rolin e saj në mbrojtjen e vlerave dhe bindjeve duke promovuar prosperitet, më shumë paqe në botë dhe ruajtjen e mjedisit”, tha ajo.

Shefja e Berlinit zyrtar shprehu mbështetje për Macronin në lidhje me “Iniciativën Evropiane të Ndërhyrjes”, e cila synon zhvillimin e strukturave për kryerjen e operacioneve të përbashkëta ushtarake.

Megjithatë Merkel nënvizoi gjithashtu se kjo iniciativë duhet të lidhet sa më afër të jetë e mundur me iniciativën e mbrojtjes së tanishme të BE-së, PESCO.

Ajo sugjeroi zhvillimin e formateve të reja, të tilla si një “Këshill i Sigurisë i BE-së”, ndërsa argumentoi se në të ardhshmen vendimet për politikën e jashtme dhe të sigurisë duhet të merren me shumicë votash, me qëllim rritjen e shpejtësisë dhe efektivitetit të vendimmarrjes së Unionit.

“Ne duam të sigurohemi se nuk presim gjithmonë konsensus absolut”, tha ajo duke mbrojtur idenë se ndryshime të tilla janë bërë të nevojshme për t’iu përgjigjur më mirë një bote gjithnjë në ndryshim.

Duke përshkruar krizën e emigracionit si një nga sfidat më të mëdha për BE-në, Merkel tha se Gjermania dhe Franca do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të zhvilluar një përgjigje të bashkuar evropiane për të trajtuar këtë sfidë.

“Ne mbështesim planet e Komisionit Evropian dhe Presidencës së Radhës së Austrisë për të forcuar sigurinë në kufijtë tanë të jashtëm”, theksoi kancerlaja gjermane.

Kurse Presidenti francez, Emmanuel Macron, vuri në pah se politikës për azilkërkuesit i duhet gjetur një zgjidhje e përbashkët në shkallë evropiane.

Ai tërhoqi vëmendjen mbi vështirësitë që po kalojnë Spanja, Greqia dhe Italia duke premtuar se Franca dhe Gjermania do të punojnë fuqishëm për një zgjidhje të përbashkët.

“Do të bashkëpunojmë me të gjithë partnerët tanë për këtë çështje”, shtoi kreu i Pallatit “Elysee”.

Macron theksoi gjithashtu rëndësinë e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore duke vënë gishtin posaçërisht mbi refugjatët që mbërrijnë në Evropë nga Libia.

Kreu i shtetit francez shprehu mbështetje të fortë për kërkesën e kancelares gjermane për zgjidhje të përbashkët evropiane në lidhje me politikën për azilkërkuesit.

“Evropa mund të shënojë progres vetëm kur të jetë e pavarur dhe e bashkuar”, vijoi ai.

Lideri francez u ndal edhe mbi marrëveshjet e arritura në fushën e ekonomisë.

“Sot po nisim etapën e dytë për monedhën e përbashkët”, tha Macron duke nënvizuar se me këto vendime aspirojnë të garantojnë stabilitetin dhe parandalojnë krizat në eurozonë.

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga Gjermania dhe Franca pas samitit të tyre vjetor ndërqeveritar propozoi ngritjen e “një policie të vërtetë kufitare evropiane” mbi Frontex-in ekzistues, për të rritur sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Deklarata e Mesebergut bëri thirrje po ashtu për krijimin e një “Zyre Evropiane të Azilit”, e cila do të jetë përgjegjëse për procedurat e azilit në kufijtë e jashtëm dhe do të ndihmojë në harmonizimin e praktikave të azilit ndërmjet shteteve anëtare.

E njëjta komunikatë vuri theksin edhe mbi suksesin e marrëveshjes BE-Turqi, nënshkruar në mars të vitit 2016, në luftimin e flukseve të parregullta të refugjatëve, si dhe sugjeroi zhvillimin e bashkëpunimit dhe partneriteteve me vendet e origjinës dhe transitit të emigracionit për të shmangur nisjet në Evropë dhe për të luftuar emigracionin e paligjshëm./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne