Bota

Franca fsheh numrin e civilëve të vrarë gjatë operacioneve në Afrikë

Autor i librit “Çfarë bënë ushtria franceze në Afrikë” dhe zëdhënësi i Shoqatës joqeveritare Survie, e cila hulumton politikën dhe kolonializmin francez në Afrikë, Raphael Granvaud tha se civilët ishin viktima të operacioneve të cilat ushtria franceze i zbaton për më shumë se pesë dekada në Afrikë.

Duke theksuar se Franca në mënyra të ndryshme ka arsyetuar operacionet e saj ushtarake në Afrikë, Granvaud në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se lufta kundër terrorizmit përdoret si argument dominuese për operacionet aktuale.

Ai shtoi se operacioni “Serval” në Mali ishte shembulli i operacionit ushtarak francez që është kryer katër vjet më parë me qëllim të neutralizimit të terrorizmit në këtë shtet afrikan.

“Franca në Afrikë kryen operacione në kuadër të një plani për të gjithë kontinentin dhe jo ndaras në vende. Shembull për këtë janë ushtarët francezë të cilët për vite me radhë ndodhen në Çad dhe raste të ngjashme janë edhe rasti me bazat franceze në Bregun e Fildishtë dhe Xhibuti. Në përputhje me interesat e veta nga këto qendra, ushtria franceze kryen operacione në të gjithë Afrikën”, ka thënë Granvaud.

Granvaud beson se lufta kundër terrorizmit është vetëm pretekst dhe se pas operacioneve franceze fshihet lufta për dominim politik dhe ekonomik.

“Këto operacione nuk janë legjitime. Këto vetëm shkaktojnë probleme të reja në vendet afrikane. Shembull është operacioni Licome i cili në Bregun e Fildishtë nuk zgjidhi problemet”, tha Granvaud dhe shtoi se ky vend afrikan gjatë operacioneve 10 vjeçare franceze është ndarë në dy pjesë.

Ai gjithashtu përmendi edhe operacionin “Sangaris”, me të cilin ushtria franceze nuk e zgjidhi as krizën në Republikën e Afrikës Qendrore.

Duke iu referuar viktimave civile gjatë operacioneve ushtarake franceze në Afrikë, Granvaud tha se janë zhvilluar hetime rreth kësaj çështjeje por se nuk kanë rezultuar me zbulimin e të dhënave konkrete dhe objektive.

“Ushtarët francezë bëjnë gjithçka për të fshehur viktimat civile, kështu që nuk dihet se sa civilë u vranë në operacionet e tyre afrikane. Megjithatë, është e qartë se një numër i madh i civilëve u vranë në këto operacione”, tha Granvaud.

Ai gjithashtu tha se ishte e mundur që ushtarët francezë të kenë kryer krime të shumta gjatë operacioneve afrikane, por se edhe këto nuk u ndriçuan kurrë. Ai përmendi si shembull akuzën se ushtarët francezë përdhunuan të miturit gjatë operacionit “Sangris”.

Kolonializmi francez në perëndim dhe në veri të Afrikës në një territor prej më shumë se 20 vendeve, daton që nga viti 1524 ndërsa ushtria franceze nga viti 1962 deri më 2011 ka kryer 228 operacione ushtarake jashtë vendit, më së shpeshti në Afrikë.

Aktualisht, është duke u zhvilluar operacioni “Barkhane”, i cili zhvillohet në Mali për më shumë se 5 vjet nga më shumë se 5.000 ushtarë francezë. (AA)

OPINIONE