Franca më e preferuara e azilkërkuesve shqiptarë, në 3 vitet e fundit mbi 20 mijë aplikime

Nga Gerard Gega

Mbi 20 mijë shqiptarë aplikuan për azil në Francë vetëm në tre vitet e fundit. Kështu tregojnë të dhënat e Eurostat të cilat mbështesin shqetësimin e Presidentit francez Macron për numrin e lartë të azilkërkuesve nga Shqipëria.

Duke përmbledhur shifrat e dy viteve të fundit dhe 6 mujorit të parë të vitit 2019 të publikuara nga Eurostat rezultojnë të jenë bërë 20,246 aplikime nga shtetas shqiptarë.

Në deklaratën përpara mbledhjes së Këshillit Evropian, Presidenti Macron tha se “nuk mund t’ua shpjegonte dot francezëve se si vendit të dytë që kërkon më shumë azil në Francë po i shkojnë gjërat aq mirë sa t’i hapen negociatat për të hyrë në BE”.

Sipas Presidentit francez procesi i integrimit deri më sot ka qenë “i çuditshëm” pasi u mundëson vendeve kandidate liberalizim vizash përpara hapjes së negociatave. Kjo sipas Macron ka favorizuar emigracionin dhe sidomos, në rastin e Shqipërisë, kërkesat për azil.

Në këtë pikë duke u konsultuar me shifrat zyrtare të Eurostat, pretendimet e Macron rezultojnë të vërteta.

Edhe këtë vit Shqipëria është mes 3 vendeve të origjinës me më tepër azilkërkues në Francë. Ajo renditet pas Gjeorgjisë dhe Afganistanit me 4,335 aplikime në 6 muajt e parë të vitit 2019.
Kërkesat për azil në Francë në tre mujorin e parë dhe tre mujorin e dytë 2019.

Në përgjithësi prirja për të kërkuar azil në Francë mbetet e njëjtë me vitet e fundit përpara Greqisë apo Britanisë së Madhe. Nga 10,560 aplikime që ka patur në 6 muajt e parë të këtij viti nga shqiptarët, 4,335 kanë qenë në Francë.

Në vitin 2018 rreth 20 mijë shqiptarë aplikuan për azil në BE, 41 për qind e kërkesave ishin në Francë. Në shifra 8,311 shqiptarë kërkuan azil në këtë vend për vitin 2018, ndërsa një vit më parë kërkesat kishin qenë 7,600. Kështu gjatë këtyre 2 vite e gjysmë janë regjistruar 20,246 kërkesa për azil nga shqiptarë.

Numri i lartë i azilkërkuesve ishte një nga pikat që e penalizoi Shqipërinë në hapjen e negociatave. Vendet e BE-së nuk kanë rënë dakord për të nisur bisedimet duke i shtyrë për vitin tjetër. Macron ka bërë thirrje për reformimin e procesit, por mbetet e paqartë se çfarë mund të ndryshojë në pak muaj teksa prirja e kërkesave për azil nuk kanë ndryshuar prej vitesh./ exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne