Francë, nëse politika nuk është më shpresë…

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Bie gjithnjë e më shumë interesi për politikën në vendet perëndimore. Partitë politike tradicioanle, qasjet e qendrës së majtë dhe të djathtë sa vijnë dhe po e humbasin kuptimin, kurse partitë raciste janë në ngjitje. Strukturat e reja dhe pa rrënjë gjejnë mbështetje shumë shpejt tek zgjedhësit (votuesit). Në zgjedhjet e vitit 2017 në Francë, Macroni pa pasur një parti, pra me lëvizjen “Marshimi” (En Marche) u zgjodh Kryetari i Shtetit të Francës. Kështu që kuptohet se marshimi i zgjedhësve francezë nuk është mjaftuar me kaq, ai vazhdon me lëvizjen e “jelekëve të verdhë”.

A nuk do të jetë më shpresë politika në Perëndim?

Niveli i pjesëmarrjes në zgjedhje në Evropë tregon në mënyrë të qartë rënien çdo ditë e më shumë të interesit të zgjedhësve për politikën. Në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, niveli i pjesëmarrjes nga viti 1979 e deri më sot, nga 65% ka rënë në 40%. Ndërsa mesatarja e francezëve tregon një ecuri të ngjashme në nivel pak më të ulët.

Pjesëmarrja në presidencialet e 2017-ës në Francë ishte 65%. Kjo mesatare ishte niveli më i ulët i pjesëmarrjes në zgjedhjet presidenciale në vend që nga viti 1969. Në turin e parë, lideri i lëvizjes “Marshimi”, Emmanuel Macron mori vetëm 23% të votave. Kurse liderja e partisë ekstremiste të djathtë “Fronti Kombëtar”, Marine Le Pen, e ndoqi Macronin me 2% më pak, pra me 21% të votave. Ndërmjet këtyre dy emrave, që mbetën në raundin e dytë, Macron u zgjosh president duke marrë 66% të votave të zgjedhësve që morën pjesë në votim. Kurse ekstremistja e djathtë, Le Pen mbeti në 34% të votave.

Ndërkaq në Turqi, në zgjedhjet presidenciale të zhvilluara në vitin 2018, pjesëmarrja ishte mbi 87%. Përqindja e lartë e votimit në Turqi, mund të lexohet si treguesi i shpresës që masat e gjera kanë ndaj partive politike.

Shkaqet e mungesës së interesit në politikë…

Rënia çdo ditë e më shumë e nivelit të pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje në Perëndim, nga disa shkencëtarë politikë shpjegohet me rritjen e mirëqenies. Ky përcaktim është i shpjegueshëm deri në një nivel të caktuar. Rritja e madhe e nivelit të mirëqenies mund të ulë pjesëmarrjen në politikë pasi reduktohen pritshmëritë nga politika. Por përgjithësisht në vendet perëndimore dhe veçanërisht në Francë, gjendja nuk mund të shpjegohet me rritjen e mirëqenies. Vendet perëndimore, duke mos mundur të përfitojnë mjaftueshëm nga proceset e globalizimit, janë evoluar në antiglobalë, dhe dihet se ekonomia e tyre sa vjen e po tendoset. Rritja gjithnjë e më shumë e votave të partive raciste, protestat në rritje në rrugë, janë treguesit e tjerë, të cilët nuk mund ta shpjegojnë këtë gjendje me mirëqenien.

Nga ana tjetër, për shkak të ndryshimit të rrugëve të pjesëmarrjes politike, mund të shpjegohet edhe rënia e interesit në zgjedhje. Rritja e numrit dhe funksioneve të organizatave joqeveritare dhe profesionale është pa dyshim e rëndësishme që zgjedhësit të kenë mundësi të japin mesazhet e tyre shumë më shpejt me anë të teknologjive të reja të komunikimit dhe medias sociale, pa pritur zgjedhjet. Por duke qenë se kjo gjendje nuk ndryshon faktin se pushtetet politike përcaktohen ende me zgjedhje, nuk eliminon rreziqet për krijimin e nivelit të ulët të pjesëmarrjes në zgjedhje.

Mosprioritetizimi i preferencave të masave të gjera të shoqërisë, mospremtimi i shpresës për rrugën e zgjidhjes drejt ekonomisë në zvogëlim, tkurrja çdo ditë e më shumë e ambientit të jetesës së diversiteteve për shkak të racizmit në rritje, akuzat gjithnjë e më shumë për korrupsion ndaj politikanëve, mund të radhiten ndër arsyet për mungesën e interesimit ndaj politikës.

Politikë me mungesë parimi: Shenjtërimi i Sisit në javën e ekzekutimit

Mungesa e parimit, rregullit dhe deklaratat e paqëndrueshme në politikën e brendshme dhe të jashtme, padyshim që mund të shihen ndër arsyet për shpresën, që është duke humbur, kundrejt politikës. Nga aspekti i politikës së jashtme, Bashkimi Evropian dhe vendet e Unionit, shprehen për mungesën e demokracisë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në vendet e tjera. Por të njëjtat vende, javën kur u ekzekutuan 9 të rinj, që ishin ende në lule të jetës, nuk hezituan të marrin pjesë në Egjipt, në Samitin BE-Liga Arabe, të mirëpritur nga gjenerali puçist, Sisi. Nga këta liderë nuk erdhi asnjë kritikë në lidhje me Sisin. Në këtë gjendje, për çfarë besueshmërie mund të flitet për kritikat në politikën e jashtme të BE-së dhe vendeve të Unionit? Nga aspekti i politikës së jashtme, çfarë lloj parimi, shprese, qëndrueshmërie mund të presë zgjedhësi nga këto lloj politikash?

E parë nga aspekti i Francës, nga njëra kemi tkurrje të fushave të lirisë për shkak të ksenofobisë, islamofobisë dhe antisemitizmit, kurse nga ana tjetër përfshirja e lirisë më themelore të lirisë së shprehjes në antisemitizëm dhe përpjekjet për dënim ndaj kritikave të sionizmit, i tkurrin edhe më shumë fushat e lirisë.

Nëse politika nuk është më shpresë…

Në Francë, me humbjen e kuptimit të partive të qendrës së djathtë dhe të majtë erdhi në pushtet Macroni. Lëvizja e “jelekëve të verdhë” vazhdon traditën e njëjtë. Tema e këtij artikulli nuk ka të bëjë me atë nëse kemi apo jo reduktim të veprimtarive në vazhdim të “jelekëve të verdhë”, ku deri më tani kanë humbur jetën 10 persona dhe janë plagosur e arrestuar mijëra të tjerë. As nëse do shndërrohen apo jo këto veprimtari në një lëvizje politike. Por rënia e nivelit të përcaktimit të politikës në kutitë e votimit dhe rritja e interesit ndaj lëvizjeve të rrugës, tregon që partitë politike tradicionale janë brenda një krize serioze kuptimi dhe besimi. Nga ky aspekt, politika, veçanërisht në Francë dhe përgjithësisht në Evropë, është ballë për ballë me një mjedis paqartësie dhe pasigurie. Ky mjedis përbën një kërcënim serioz për të ardhmen e Evropës dhe së bashku me të edhe të ardhmen e botës. Kjo gjendje, që mund të shihet si kriza e politikës evropiane, e lë Evropën përballë një paqartësie, e paparashikueshmërie.

Votat gjithnjë e më shumë të partive raciste dhe prirjet e tyre për të ardhur në pushtet me rrugë të tjera jashtë kutive të votimit, krijojnë një rrezik të madh edhe nga aspekti i demokracive. Ashtu si në shembullin e Francës, partitë ekstremiste të djathta, mund të jenë një nga partitë që mbeten në turin e dytë të zgjedhjeve. Por me avullimin sa vjen e më shumë të partive të qendrës së djathtë ose të majtë, gërryhet edhe pragu që do të ndalonte partitë raciste.

Nëse autoritetet franceze dëshirojnë që politika të përmbajë përsëri një kuptim dhe shpresë për shoqëritë, në vend që të kritikojnë vendet e tjera si një vazhdimësi të traditës imperialiste, duhet të lënë pas përqendrimin tek ato dhe duhet të dëgjojnë kërkesat e shoqërive të veta.

Nëse shoqëria franceze e humb plotësisht shpresën për një ndryshim me anë të politikës, të cilën e sheh si një rrugë legjitime dhe legale, kam frikë se Francën e pret një proces i ri “ndriçimi”, të cilin e ajo e njeh dhe ndehet krenare për të, që mund të bëhet shkak për vdekjen e shumë njerëzve dhe që mund të rrënojë strukturat aktuale.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne