Frikësim, burg politik dhe dhunim të drejtash – Si po i lufton Rama kundërshtarët politik

Nga Alice Elizabeth Taylor

Teksa data e zgjedhjeve të anuluara po afrohet, Kryeministri Edi Rama po përdor metoda gjithnjë e më jodemokratike për të shuar kundërshtinë ndaj tij.

Që me fillimin e protestave të para të opozitës në shkurt të këtij viti, qindra qytetarë janë arrestuar me akuza të pabazuara për prishje të qetësisë publike dhe nxitje të dhunës. Ndërkohë që disa prej tyre mund të kenë kryer vërtet shkelje të ligjit, sërish qëndron fakti se shumë protestues janë ndaluar me pak prova ose pa prova fare.

Deri më sot, qeveria ka ndaluar ose arrestuar së paku 34 ish-deputetë të Partisë Demokratike ose zyrtarë të lartë të saj gjatë javëve të fundit për pjesëmarrje në protestat kundër qeverisë.

Qeveria gjithashtu i kërkoi prokurorisë të nisë hetime për “nxitje të dhunës” ndaj Kryebashkiakut të Lezhës Fran Frrokaj dhe atij të Mallakastrës Agron Kapllani. Të dy ata deklaruan se, pas anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga Presidenti, nuk do të lejonin administrimin e zgjedhjeve në bashkitë e tyre.

Përveç kësaj, më shumë se 300 përkrahës të opozitës raportohet të jenë arrestuar, ndaluar ose akuzuar për të njëjtat arsye. Asnjë akuzë nuk është ngritur kundër tyre.

Ka pasur gjithashtu shqetësime rreth mënyrës se si janë arrestuar qytetarët. Merrni për shembull arrestimin e Florenc Hoxhës.

Exit.al ka parë pamje video nga shtëpia e tij ku duken rreth 30 oficerë policie, disa të armatosur me armë gjysmë automatike, duke hyrë në pronën e tij pa pasur urdhër. Ata e arrestuan atë para fëmijëve të tij dhe i kontrolluan banesën, përsëri pa një urdhër gjykate dhe pa praninë e një anëtari të familjes, siç e kërkon ligji.

Përveç kësaj, policia shihet qartë në dy raste duke gjuajtur dhe goditur Hoxhën, pavarësisht se ai nuk po bënte rezistencë. Vlen gjithashtu të theksohet se hyrja në banesën e tij ka ndodhur pas orës 20:00, gjë që ndalohet në Kodin e Procedurës Penale.

Një tjetër protestues tha për Exit.al se policia kishte shkuar te shtëpia e prindërve të tij për ta kërkuar (sërish, pa urdhër gjykate) në orën 10 të natës (dy orë pas orarit të lejuar nga ligji) dhe kishin abuzuar verbalisht me ta teksa tentonin të hynin në pronën e tyre pa leje.
Nuk ka rëndësi nëse ndonjë nga këta qytetarë është fajtor (ata të dy pretendojnë pafajësinë dhe theksojnë se nuk ka asnjë provë për të mbështetur arrestimin e tyre deri më sot). Ajo që qëndron është fakti se ekzistojnë ligje rreth ndalimit dhe arrestimit, dhe policia nuk është duke iu përmbajtur këtyre ligjeve.

Rama gjithashtu po kërcënon vazhdimisht me ndryshimet në kodin penal, për të ndaluar këdo që “prek” zgjedhjet të largohet nga vendi për 10 vjet.

Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me një numër ligjesh ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke përfshirë nenin 2 të Protokollit 4 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas këtij ligji, personi gëzon të drejtën për t’u larguar nga një vend, përfshirë edhe nga vendi i tij. Kjo e drejtë dhe disa të drejta të tjera janë të parashikuara në Konventë dhe, si të tilla, janë të garantuara prej saj. KEDNJ-ja ka një mori cështjesh gjyqësore që mbështesin këtë të drejtë, të përcaktuar gjithashtu në nenit 13.2 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Një shtet ka të drejtë vetëm të revokojë të drejtën e shtetasit për t’u larguar nën kushte të parashikuara ngushtësisht dhe në detaje, kur personat paraqesin kërcënim të madh për sigurinë kombëtare, rendin publik, shëndetin publik, ose për të drejtat dhe liritë e të tjerëve. Asnjë nga këto nuk janë kritere që mund të legjitimojnë ndalimin e propozuar nga Rama.

Është gjithashtu interesante të theksohet se asnjë veprim ligjor nuk po ndërmerret, apo të ketë gjasa të ndërmerret kundër ndonjërit prej atyre që dolën në përgjime duke manipuluar zgjedhjet. Bisedat e këtyre individëve patjetër që klasifikohen si “prekje e zgjedhjeve”, veçanërisht në rastet e kërcënimit të votuesve, por asnjë veprim nuk është ndërmarrë në lidhje më marrjen në pyetje, hetimin ose kapjen e cilitdo prej tyre.

Ky fakt mbetet i tillë, pavarësisht faktit se prokuroria i ka pasur në duar këto përgjime për mëse dy vjet e gjysëm.

Për më tepër, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, e cila mban një pozicion që nuk ekziston në ligjin shqiptar, ka nxjerrë një udhëzim për “hetime të menjëhershme dhe të thelluara” ndaj kujtdo që mund të “prekë zgjedhjet” e 30 qershorit.

Ajo gjithashtu refuzoi dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve, gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën. Duke qenë se dekreti u botua në Gazetën Zyrtare, dhe u bë kështu i detyrueshëm për zbatim nga të gjitha insitucionet, duke përfshirë edhe prokurorinë, Arta Marku është në kundërshtim edhe me detyrat dhe rolin e saj. Ky udhëzim i saji tregon, gjithashtu, se Marku vepron në linjën e Ramës dhe jo në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, që ajo është e detyruar t’i mbrojë me paanësi.

Përderisa të gjitha këto vazhdojnë, Rama vazhdon të përdorë gjuhë përçmuese ndaj gazetarëve, Presidentit, drejtuesve të opozitës dhe qytetarëve – diçka që nuk është e zakonshme apo e toleruar nga një drejtues qeverie në asnjë vend demokratik.

Situata që rezulton është ajo ku protestuesit dhe zërat kritikë jetojnë me frikën se do të përfundojnë të burgosur politikë. Kryeministri dhe Prokuroria po kërcënojnë dhe po përpiqen të zbatojnë ligje jokushtetuese si dhe në shkelje të ligjeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Për më tepër, Rama, Partia Socialiste dhe Arta Marku po shkelin ligjet kushtetutën duke vazhduar të refuzojnë të zbatojnë dekretet e presidentit.

Kjo është një situatë e cila nuk duhet të jetë e pranueshme në asnjë vend me një minimum të parimeve demokratike dhe po e degdis Shqipërisë drejt autoritarianizmit njëpartiak.

Frikësimi i qytetarëve nga qeveria, nga disa anëtarë të gjyqësorit dhe nga Kryeministri shkon kundër standardeve dhe ligjeve të shumta ndërkombëtare. Përveç kësaj, dëshmitë për parregullsi dhe paligjshmëri serioze gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, mungesa e hetimeve ndaj tyre dhe përpjekjet për të mbajtur zgjedhje jokushtetuese dhe të paligjshme të dielën duhet të ishin këmbana alarmi për ndërkombëtarët.

Megjithatë, delegacioni i BE-së, KE-së, OSBE-ja dhe misionet diplomatike në Tiranë vazhdojnë të heshtin./ exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne