Fshesa e “administratës”, Ministria e Mjedisit 278 çështje gjyqësore nga ish-punonjësit

Është tipike në Shqipëri që pas çdo qeverie në ikje, ajo që pason është një “fshesë” mbi administratën publike e damkosur si “militante”. Kjo ka bërë që në vazhdim të jenë me qindra apo mijëra çështje që zvarriten dyerve të gjykatave në kërkim të një dëmshpërblimi me argumentin se punonjësi nuk është njoftuar në kohë dhe procedura për largimin nga puna ka qenë me shkelje.

Në shumë raste, gjykatat i kanë dhënë të drejtë institucioneve, por mbizotërimin e kanë rastet kur buxheti duhet të paguajë për “firmat” e befta të hedhura nga drejtorët apo ministrat në letrat e largimit. Dhe kur themi buxheti, kuptohet që kostoja e largimeve është në kurriz të taksapaguesve.

Shumica e institucioneve nuk bëjnë transparencë lidhur me çështjet që kanë nëpër gjykata me ish-nëpunësit e larguar por mjafton të shohim ato pak lista që janë publike, për të kuptuar tendencën. Vetëm Ministria e Mjedisit numëron 278 çështje gjyqësore në harkun e dy viteve. Nga shkurti 2015 deri në prill 2017. Çështjet nuk janë vetëm të ministrisë në vetvete por edhe të institucioneve të saj të varësisë, në gjithë vendin.

Pjesa më e madhe e çështjeve mbeten në proces dhe në pritje të një vendimi. Në Gjykatën Administrative sipas të dhënave të gjeneruara nga sistemi rezultojnë të paktën 638 çështje të ardhura që kanë si objekt dëmshpërblimin për largimin e padrejtë nga puna.

Dëmi që i shkaktohet buxhetit të shtetit nga lëvizjet në administratë sa herë ka ndryshime të qeverive, asnjëherë nuk është llogaritur në total. Për të kuptuar sesa kolosal mund të jetë kumulativja e gjithë viteve, mjaft t’i referohemi një shifre që publikoi BIRN vitin e kaluar, ku në bazë të përpunimit të të dhënave të thesarit, rezultonte që vetëm për vitin 2015 dëmi nga largimet e padrejta në administratë ishte 3.1 miliardë lekë. Kjo është shifra që u është paguar në formën e pagave ish-punonjësve të larguar.

Ekspozimi i administratës ndaj riskut të largimeve si efekt i rotacioneve politike është cilësuar gjithmonë i lartë. Por ndërsa ka një kosto të drejtpërdrejtë pagesa e një dëmshpërblimi ajo që nuk llogaritet është kostoja e tërthorte. Në shumë raste largimet bëhen për pozicione të caktuara në administratë mbi të cilat është investuar në trajnime dhe formim profesional duke bërë që ky cikël të përsëritet me çdo punonjës që pason.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne