Fuat Sezgin (1924-2018) – Figurë e paharruar

Fuat Sezgini (24 tetor 1924 – 30 qershor 2018) lindi në Bitlis, Turqi. Gjatë viteve 1943-1951, ai studioi pranë Hellmut Ritter-it (1892-1971), orientalistit gjerman që zinte një vend pararojë në fushën e shkencave islame dhe orientalistikës në Institutin e Studimeve Orientale të Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Stambollit.

Shkruan: Ismail BARDHI, Shkup

Për herë të parë emrin e prof. Fuat Sezginit e dëgjova si student i Fakultetit Teologjik në Sarajevë, dhe atë nga rahmetli prof. Ahmed Smajloviqi (të cilin e kishim si burim që na i prezantonte dijetarët e rrallë, të thellë dhe botërisht të njohur), por, me kalimin e kohës, jeta studentore bëri që “ta harrojmë” këtë emër. Ajo që është domethënëse në rastin e tij është se ai në Perëndim njihet si një nga profesorët më me peshë, për të cilin thuhet se 17 orë në ditë ka bërë kërkime, hulumtime shkencore. Faktikisht, pas Carl Brockelman-it ndër orientalistët, ky ishte ndër studiuesit myslimanë që punoi më me zell për t’ua kthyer peshën studimeve islame, respektivisht për t’i ringjallë ato edhe në mënyrë të prekshme.

Ditën kur e dëgjova lajmin se prof. Sezgini kishte ndërruar jetë përjetova një përgjegjësi dhe një “vërejtje” të brendshme nga njeriu i ndjerë, i cili për së gjalli me veprat e tij u mundua ta bënte realitet parimin: më ngadalë me shkencën, sepse shkenca kërkon hulumtime, kërkime, përgjegjësi racionale dhe mundim fizik e metafizik. Këto sot është vështirë t’i gjeni. Sot më shpejt shkruhet sesa lexohet, madje me keqardhje mund të them se shkruhet, botohet dhe nuk lexohet ajo që shkruhet, e të mos them se shkruesi/botuesi “ka harruar” ta lexojë shkrimin e vet. T’jua them të drejtën, më erdhi mirë që kanale të ndryshme televizive në Turqi dhe jashtë saj e transmetuan lajmin për vdekjen e rahmetli prof. Sezginit dhe, rastësisht, e ndoqa një bisedë të tij në një nga ato kanalet: ç’tju them, me shumë vështirësi e kuptoja, e në anën tjetër e kisha parasysh një figurë që ka lënë gjurmë në shkencën botërore, ka krijuar institucion dhe e ka bërë të pavdekshëm universitetin e Frankfurtit. Dhe, thashë me vete, o Zot, fare nuk kuptoj se çka flet ky, e aq më pëlqen, në krahasim me ata që sot i kuptojmë shumë mirë dhe nuk na pëlqen ajo se çfarë thonë. E pashë se fjala dhe reklama nuk janë asgjë tjetër, veçse mashtrim, ndërsa puna është ajo që ka peshë dhe që është e pavdekshme dhe që këtë alim e bën të jetë një shembull i mirë për brezat që vijnë, për “alimët” që mëtojnë të bëhen të tillë në kuptimin e plotë të fjalës, pra pa thonjëza.

Fuat Sezgini (24 tetor 1924 – 30 qershor 2018) lindi në Bitlis, Turqi. Gjatë viteve 1943-1951, ai studioi pranë Hellmut Ritter-it (1892-1971), orientalistit gjerman që zinte një vend pararojë në fushën e shkencave islame dhe orientalistikës në Institutin e Studimeve Orientale të Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Stambollit. Fuat Sezgini iu rrek punës për të studiuar historinë e shkencave kur profesori i tij i tha se shumë nga matematikanët më të mëdhenj që njihen në botë kanë qenë muslimanë, që ndikoi thellësisht që ai ta ndryshojë drejtimin e kërkimeve shkencore. Në vitin 1954 ai e përfundoi tezën e docentit me titull Burimet e Buhariut në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe. Me anë të këtij punimi ai parashtroi tezën se Buhariu (810-870), i cili për sa i përket burimit hadithor zë një vend të rëndësishëm në kulturën islame, në të kundërtën e asaj që njihet, në hadithet që ka mbledhur nuk është bazuar në burime gojore, por në burime të shkruara, që i përkasin periudhës së hershme islame, bile që shkojnë deri në shekullin e parë/shtatë. Kjo tezë akoma debatohet në ambientet orientaliste me bazë evropiane, ndërsa për fat të keq teologjia muslimane e sotme është duke e harruar këtë dhe është shndërruar në ligjërim të bukur dhe kaq. Tek Fuat Sezgini kjo nuk ka qenë kështu. Ai është munduar të depërtojë në të kaluarën, me qëllim që të kaluarën ta pastrojë, ta ringjallë dhe ta prezantojë ashtu siç duhet. Ai ka arritur ta bëjë këtë me një mjeshtri të lartë, saqë falë punës së tij sot mendja e ndritur perëndimore hesht pranë zbulimeve që i ka dhënë mendja muslimane. Në vitin 1954 ai e mori titullin e docentit në Institutin e Hulumtimeve Islame. Këtu punoi me Zeki Velid Toganin. Gjatë grushtit të shtetit të datës 27 maj 1960 ai ishte në mesin e akademikëve që u detyruan të largoheshin nga universiteti dhe ta braktisnin vendin, siç njihen me emrin “njëqind e dyzet e shtatët” (ishin 147 akademikë).

Fuat Sezgini, i cili shkoi në Gjermani në vitin 1961, ligjëroi si ndihmës profesor i asociuar në Universitetin e Frankfurtit. Në vitin 1965 ai e mori titullin e profesorit në këtë universitet. Pika kryesore e punimeve shkencore të tij u bë fusha e historisë së shkencave natyrore rreth kulturës arabo-islame dhe në këtë fushë në vitin 1965 ai e përfundoi edhe punimin e tij të këtij specializimi. Duke e vazhduar edhe në Gjermani punimin e tij të letërsisë dhe historisë arabo-islame që nga shekulli i katërmbëdhjetë (Geschichte des arabischen Schrifttums), të cilin e nisi që kur ishte akoma në Stamboll, ky punim u shndërrua në një burim për studimet orientalistike: vëllimi i parë i kësaj vepre me 13 vëllime që akoma nuk ka përfunduar, u botua në vitin 1967, ndërsa vëllimi i fundit u botua në vitin 2000. Geschichte des arabischen Schrifttums ka si temë të gjitha degët shkencore kryesore dhe dytësore të periudhës së parë islame, që nga letërsia fetare dhe historike, e deri te gjeografia dhe hartografia. Sezgini ka argumentuar se detarët muslimanë kanë arritur në Amerikat nga viti 1420, duke cituar si dëshmi mbishkrimin mbi një hartë dhe faktin se saktësia e lartë gjatësore e hartave të hershme të Amerikave nuk do të ishte e arritshme duke përdor teknologjinë perëndimore të navigacionit. Kjo e ka shtyrë të thotë se: “Perëndimi është foshnje e Lindjes, pra e botës islame”.

Prof. Fuat Sezgini është personaliteti i parë që në vitin 1978 e ka marrë çmimin e Shkencave Islame të Fondacionit të Mbretit Fejsal të Arabisë Saudite. Me anë të këtij çmimi dhe mbështetjeve të tjera, ai në vitin 1982 e themeloi Institutin e Historisë së Shkencave Islame në Universitetin J. W. Goethe, ndërsa në vitin 1983 e themeloi dhe drejtoi muzeun e këtij instituti. Në këtë muze, i cili varet nga instituti që e themeloi, ai ka ekspozuar mjetet e shpikura nga dijetarët myslimanë si dhe mostrat e krijuara, duke u mbështetur në burimet e shkruara të mjeteve dhe materialeve shkencore. Ndërkaq katalogu me titull Wissenschaft und Technik im Islam, i përgatitur për të njohur objektet që gjenden në muze dhe për të treguar zhvillimin shkencor të kulturës islame, u botua në vitin 2003. Ky katalog, i cili është botuar edhe në gjuhën frënge, po bëhet gati për t’u botuar edhe në gjuhët arabe, angleze dhe turke. Së fundmi, duke krijuar mjete dhe materiale të ngjashme me mjetet dhe materialet shkencore që ai përgatiti për Institutin e Shkencave Arabo-Islame, ai u bë një udhëzues në hapjen e Muzeut të Historisë së Shkencës dhe Teknologjisë Islame në Stamboll, të cilin më 25 maj 2008 e përuroi Rexhep Taip Erdoğan, asokohe kryeministër i Turqisë.

Në fund të këtij shkrimi shfrytëzoj rastin që ta përmend veprën e tij Epoka e Madhe e panjohur, që është përkthyer dhe publikuar tashmë në shqip nga Logosi, është një vepër me peshë të veçantë, ngase ajo qytetërimit islam ia ka hequr pluhurin e harresës, duke i riprodhuar zbulimet që janë bërë në botën muslimane. Po ashtu më duhet ta kujtoj edhe një konstatim të tij, që personalisht më ka pëlqyer dhe që shpesh ua ka kujtuar studentëve të tij, se nuk është mirë të keqpërdoren ose keqinterpretohen fjalët e Kur’anit vetëm për shkak se aty ka ajete si: “ecni nëpër tokë që t’i shihni shenjat e Allahut” ose përmendja e hekurit, ujit, vetëtimës…, të thuhet se të gjitha shkencat e kanë burimin te Kur’ani, ngaqë Kur’ani i kapërcen të gjitha këto përmasa dhe qëllimi i tij është diçka tjetër”, me siguri duke dashur të thotë se Kur’ani është shpëtim dhe hidajet (udhëzim), për çka sot kemi nevojë më shumë se kurrë./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne