Fundi i kohës Merkel

Kohës së Angela Merkelit në Gjermani po i vjen fundi. Kështu shkruhet në një editorial të revistës së njohur “Spiegel” me autor Dirk Kurbjuweit.
Autori përdor edhe një term të posaçëm: Merkelizmi, i cili përkufizon një periudhë dhe model qeverisjeje në Gjermani dominuar nga konsensusi i përgjithshëm, qetësia dhe mbi të gjitha stabiliteti. Në 12 vjet me radhë këto kanë qenë tiparet e Gjerrmanisë politike duke reflektuar një frymë sigurie edhe në Europën e trazuar nga kriza financiare e vitit 2008 dhe kriza e refugjatëve e vitit 2015.

Tani Merkelizmi është në fund dhe sipas Kurbjuweit, për këtë ndikon edhe fakti se ai konsensusi social që ekzistonte në Gjermani nuk është më. Kriza e refugjatëve ka qenë një pikë kritike në këtë drejtim dhe ajo përçau vendin duke evidentuar si faktor populistët e djathtë. Vendimet e kancelares kanë goditur autoritetin e saj dhe sipas autorit kanë ripërmasuar perceptimin për vijimin e saj në pushtet.

“Synimi i Merkelizmit ka qenë të qetësonte vendin, por poitika e refugjatëve dhe humbja e kontrollit që pasoi nxitën irritim. E shtyu vendin drejt një prej periudhave më të paqëndrueshme. Problemi më i madh i Merkelizmit ka dalë së fundmi në sipërfaqe dhe ai është Merkeli vetë. Ajo asociohet tani me një fund dhe jo me një fillim të ri…Nëse  Merkel është kaq e lidhur me stabilitetin atëherë ajo duhet të jetë e aftë të shohë se vendi nuk dontë përfitojë nëse ajo arrin apo kalon rekordin e Helmut Kohl për të qëndruar 16 vjet në zyrë. Edhe Merkel po ashtu duhet të të nisë të imagjinojë të ardhmen e politikës në Gjermani – një të ardhme pa Merkelin”, shkruan Kurbjuweit.

Editoriali vë një bast me zhvillimet e afërta politike në Gjermani duke nënvizuar ndër të tjera se përtej të gjithave, Merkel nuk ishte e aftë për reforma të mëdha. Ikja e saj për Gjermaninë është çështje kohe, ndërkohë që koha e ikjes ka rëndësi shumë të madhe për vende si Shqipëria. Nisma e Berlinit dhe organizimet që e pasojnë janë të lidhura me emrin e kancelares gjermane dhe në situatën që po zhvillohet është e pasigurtë nëse dikush tjetër do të ketë dëshirën, vullnetin apo qasjen e tillë ndaj një rajoni periferik si Ballkani Perëndimor. Qeveria e re në Gjermani, kushtëzimet e saj me këto aspekte të jetës politike atje, mund të jenë favorizuese për një vend si Shqipëria. Kjo sepse edhe në Itali ka lëvizje që nuk thonë ndonjë gjë të mirë. Për rrjedhojë një vendim pozitiv për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të përshpejtohet për shkak të presioneve antieuropiane që burojnë nga brenda vetë Europës. Para disa ditësh, gazeta britanike “The Spectator” shkruante se Matteo Salvini mund të jetë kryeministri i ri i vendit. Panorama europiane pritet të ndryshojë shumë me një Gjermani dhe Itali të ndryshme nga këto që shohim sot.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne