Fushatë? Ahengxhiu u shpjegon sehirxhinjve Ilir Metën dhe Lulzim Bashën

Një kapele në kokë me një numër sipër, këmishë e hapur, t-shirt, pantallona, tuta apo çitjane dhe mbathur me këpucë, atlete apo nallane, qytet më qytet, e fshat më fshat, biri i Shqipërisë, Edi Rama ka nisur fushatën elektorale.

Ai që i duhet Shqipërisë, shqiptarëve, për të qeshur, apo për të shtyrë ca orë në këtë sezon papunësie absolute. Papunësi llafesh, papunësi parlamentare, papunësi në drogë. Kohën na e zë Kryeministri.

Po shpjegon Ilir Metën dhe Lulzim Bashën. Nga takimi në takim, u rrëfen “njerëzve të thjeshtë”, atyre që patjetër janë spontanisht në takime, se kush është Presidenti i tyre, kush është kryetari i PD-së. Cilët janë këta birbo që po marrin në qafë Shqipërinë e rilindur me aq zor dhe aq mund.

Dëgjojeni kaposhin, apo kodoshin, si të doni ta quani. Dëgjojeni se keni rrëfim në vetë të parë nga ai që u ka lidhur këpucët apo ua ka hedhur të dyve, duke i ngecur Shqipërisë dhe nja dy dekada tranzicion.

Keni dëgjuar gjë për punësi, për projekte zhvillimi, për ndonjë ndryshim real? Jo. Atë e bëmë, zgjedhjet e dimë që I fitojmë. Ndaj hajde të bëjmë ca qyfyre. Shqiptarë janë, ecën gallata me këta. Po edhe në mos eci, kemi ymerët, sadrijtë dhe xhemalët që gjejnë sa të duash sehirxhinj elektoralë që dëgjojnë të iluminuarin.

Rilindja Urbane ka punësuar 49 mijë vetë. Kështu thoshte ky pedagog i gallatës në vitin 2017. Po vallë tani si do zëvendësohen këta sepse ne u urbanizuam? Me 100 fshatrat? Ndoshta. Fshati ka më shumë punë sesa qyteti. Këtë nuk do të kuptojë as Ilir Meta dhe as Lulzim Basha.

I quajnë zgjedhje lokale, zgjedhje ku flitet për komunitetin. Por në vend të kësaj si zakonisht po i mbiquajnë si zgjedhje historike. Me kandidatë të fandaksur nga partia, nga lista e miqve dhe biznesmenëve që e njohin dorovitjen që i hidhen shqiptarëve si ofertë elektronike falas, kuptohet “bashkangjitur – attached” deputetëve të tipit Hyseni”.

Rilindja ecën me galop. Nuk ndalet. Ajo ka uzurpuar qiellin e Shqipërisë, atë të gjeneratës tjetër, ajo është astronomi e progresit, me kryeministrin si yll polar që na udhëheq.

Të mjerët ata që nuk e kuptojnë apo që kundështojnë. Shqipëria nuk është bërë për të kundërshtuar, për opozitarizëm. Politika është një davet ku është mirë të marrësh pjesë. Rilindja ka nisur të flasë me ndajfoljen Kurrë, ndaj Kujdes! Kurrë më në administratë, kurrë më dalje jashtë. Jo për arrogancë, por sepse ja detyron gjeneratës tjetër që të mos lërë të pandëshkuar shkelësit e ligjit, subversivët dhe regresivët./respublica

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne