Futboll – Liverpulit i buzëqeshin penalltitë, fiton Superkupën e Evropës

Dy klubet e mëdha evropiane dhe britanike, Liverpuli e Çelsi, u përballën të mërkurën në mbrëmje për Superkupën Evropiane në stadiumin “Istanbul Vodafone Park” të Beshiktashit.

Sfida u drejtua nga gjyqtarja Stephanie Frappart e Federatës Franceze të Futbollit, asistuar nga bashkëkombësja Manuela Nicolosi dhe irlandezja Michelle O’Neill.

Kurse turku Cuneyt Çakir ishte arbitër i katërt i takimit.

Liverpuli fitoi për herë të 4-t në histori Superkupën e Evropës duke mposhtur pas goditjeve së penalltive Çelsin e Frenkie Lampard, skuadër që zhvilloi sërish një ndeshje shumë të mirë, por nuk kishte fatin me vete.

Gabimin vendimtar e bëri sulmuesi i ri Abraham, i cili humbi penalltinë e 5-të të Çelsit, pritur nga Adrian, pasi deri në ato momente të dyja skuadrat ishin treguar 100% të sakta.

Këtë herë penalltitë i buzëqeshën skuadrës së Jurgen Klopp, e cila 10 ditë më parë humbi kupën e “Community Shield” ndaj Mançester Sitit po me 11-metërsha.

Në “Vodafone Park” të Beshiktashit, 90 minutat e kohës së rregullt dhe 30 minutat e shtesës nuk prodhuan fitues pasi u mbyllën në barazim, respektivisht 1-1 dhe 2-2.

Takimi i zhvilluar në Stamboll mes dy superfuqive të futbollit anglez ishte vërtetë spektakolar dhe i përmbushi të gjitha parashikimet, pasi prodhoi pothuajse gjithçka: Gola, gola të anuluar, shtylla dhe pritje fantastike nga të dy portierët, por sidomos nga Kepa Arrizabalaga.

Pjesa e parë foli më shumë për Çelsin që ishte më kërkuese dhe pasi goditi traversën me Pedron, në minutën e 36-të zhbllokoi shifrat me Giroud, i cili mposhti Adrian pas asistimit perfekt që mori nga Pulisic.

Në fundin e pjesës së parë talenti amerikan i bluve shënoi edhe golin e dytë, por finalizimi i tij u anulua për pozicion jashtë loje.

Fillimi i pjesës i dytë ishte i gjithi për Liverpulin, që barazoi menjëherë shifrat pas një kombinimi perfekt të dyshes Firmino-Mane, me këtë të fundit që mposhti Kepan.

Në të 75-ën, portieri spanjoll bëri një ndërhyrje vendimtare ndaj Van Dijk, i ndihmuar edhe nga traversa, ndërkohë që një tjetër gol iu anulua Çelsit për një pozicion jashtë loje të talentit Mason Mount.

Me rezultatin 1-1 u mbyll koha e rregullt, ndërsa 5 minuta pasi kishte filluar shtesa e parë, Liverpuli gjeti sërish avantazhin me Sadio Mane, por festa e “The Reds” nuk zgjati shumë, pasi gjyqtarja Frappart akordoi një penallti për Çelsin, për një faull të portierit Adrian ndaj sulmuesit Abraham. Italo-braziliani Jorginho e shndërroi 11-metërshin në gol.

Kështu, edhe koha shtesë përfundoi me rezultatin 2-2, ndërkohë që te penalltitë fati i buzëqeshi skuadrës së Klopp.

Sfida në Stamboll u transmetua drejtpërsëdrejti në 215 shtete të botës, nga Evropa në Afrikë, nga Azia në Amerikën Latine dhe nga Amerika Veriore deri në Lindjen e Mesme dhe Oqeani./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne