Rajoni

Gangsteri i respektuar nga Haradinaj e Veseli

Avni Selaci, një polic i trafikut nga Vushtrria dhe Ngadhënjim Grabovci, një gangster nga Peja, ishin takuar në mesnatën e 14 shkurtit, të 2013-ës.

Selaci, atë natë ishte përpjekur që shteti i Kosovës, i cili pas tri ditësh do ta festonte pesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë, të ishte i respektuar në sytë e qytetarëve. Kishte vërejtur se një qytetar që voziste veturë luksoze të tipit BMW, po e tejkalonte shpejtësinë.

Polici nuk ia kishte dalë që t’i “edukonte” dy gangsterët e Adem Grabovcit, të dhënë pas veturave luksoze dhe tejkalimit të shpejtësisë. Ngadhënjimi bashkë me vëllanë e tij, Guximin e kishin rrahur policin deri në alivanosje.

I rrahur për vdekje, por fatmirësisht i shpëtuar gjallë, Avniut i ishte dashur pushim mjekësor për t’i trajtuar plagët.Ndoshta, ditë pas dite ka pritur që dikush nga udhëheqësit shtetërorë apo liderët e partive të trokiste në derën e tij, për ta vizituar.

Por, në vend që ta vizitojnë një polic të rrahur duke mbrojtur shtetin, politikanët kanë tjetër preferencë se kë duhet respektuar.

Katër vjet pas rrahjes së policit kanë ndryshuar shumë gjëra. Djemtë e politikanit Adem Grabovci nuk e kanë kaluar asnjë ditë si të burgosur.Janë dënuar minimalisht-secili nga gjashtë muaj burg apo gjobë prej 3 mijë eurosh për secilin. Normalisht, familja e pasur Grabovci ka pasur mundësinë që të vendoste për opsionin e dytë.

Pas mbylljes së rastit gjyqësor, një prej gangsterëve ka vendosur të martohet. Ngadhënjimi është martuar mbrëmë dhe familja e tij ka përzgjedhur hotelin e shtrenjtë “Emerald”, për të festuar. Prindi i tij, politikani i dyshuar për përfshirje në korrupsion Adem Grabovci, priste mysafirët që kishin vendosur ta nderonin me praninë e tyre.

Kadri Veseli kishte gjetur kohë për të nderuar një gangster, si Ngadhënjimi, dhe një politikan të dyshuar për korrupsion, si Adem Grabovci. Nuk ishte i vetëm. Të njëjtën kishte vendosur ta bënte edhe kandidati i PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj. Aty ishte edhe Zonja e Parë, Lumnije Thaçi bashkë me të birin, Endritin.

Por, pse është e rëndësishme pjesëmarrja e Veselit dhe e Haradinajt në një prej qindra dasmave të zakonshme të kësaj vere?

Shfaqja e tyre e mbrëmshme në “Emerald” është më shumë se sa një vallëzim rutinor në një dasmë të zakonshme.Pjesëmarrja tyre ka simbolikë të madhe dhe mesazh të qartë.

Tregon se dy liderë partish, Veseli e Haradinaj, që po përpiqen të bëjnë numrat për të qeverisur shtetin në katër vjetët e ardhshëm nuk kanë bezdi prej njerëzve që nuk i binden ligjit. Është e kundërta, kanë respekt të jashtëzakonshëm për ta.

Veseli dha mesazhin se për të është i vlefshëm një njeri si Adem Grabovci, i cili dyshohet se ka shkelur të gjitha ligjet për interes të partisë dhe njerëzve të tij. Po ashtu, na bëri me dije se do të jetë tolerant dhe do të respektojë gangsterët, të cilët kanë guximin dhe mundësinë për të rrahur deri në alivanosje pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Në anën tjetër, Haradinaj përveç dhënies së mesazheve të njëjta si Veseli, shpërfaqi edhe diçka tjetër. Ai vendosi që ta respektojë Adem Grabovcin, me të cilin para tetë vjetësh ishin zhytur në një betejë të pafund akuzash.E akuzonte si një prej figurave kryesore të zhvatjes në shtetit. Po ashtu, edhe Grabovci e akuzonte për haraç, korrupsion, uzurpime e përvetësime në emër të luftës.

Shtrëngimi i mbrëmshëm i duarve mes tyre, në dasmën e djalit të Grabovcit ishte një lloj kërkim falje. Haradinaj tregoi se është i dobët në pikën të cilën e ka trumbetuar shpesh- të qenit një burrë që e mban fjalën.

Mbrëmë në dasmën e një prej njerëzve të PDK-së, ai la anash “burrërinë e trumbetuar”. Ishte aty në cilësinë e një interesxhiu, i cili duket se do të rrijë natë e ditë afër njerëzve të PDK-së, deri në realizimin e ëndrrës së tij, që është posti i kryeministri.

Haradinaj dhe Veseli po të kishin pak interes, në vitin 2013 do të kishin shkuar për ta vizituar edhe policin e rrahur, Avni Selacin. Por, asnjë prej tyre nuk duket se ka interes për ta pasur një polici të fortë, që pjesëtarët e saj nuk rrahën deri në alivanosje nga gangsterët. Për interesat e tyre personale e biznesore, ju konvenon që policët të jenë lehtësisht të rrahshëm deri në alivanosje./ insajderi

OPINIONE

INTERVISTA