Gashi: Kosova bëri hapin e duhur me dëbimin e gylenistëve, rrezikonim grushtshtet

Ilir Gashi, gazetar nga Prizreni, thotë se Kosova ka bërë hapin e duhur, por të vonuar me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se “gylenistët” konsiderohen terroristë nga Turqia, dhe të tillë duhet të konsiderohen edhe nga shtetet mike të Turqisë, përfshirë Kosovën.

“Nga aspekti i arsyeshmërisë është hap i qëlluar dhe ndoshta i vonuar i autoriteteve të Kosovës në këtë drejtim. Nga aspekti i ligjshmërisë duhet të japin përgjegjësi ata që janë kompetent për këtë punë. Ministri i Drejtësisë tha se gjithçka ka ecur sipas ligjit dhe instancat tjera merren me këtë çështje. Unë mendoj se është hap i duhur sepse FETO është shpallur organizatë terroriste në Turqi dhe Turqia si shtet aleate e Kosovës nëse shpall organizatë terroriste ajo e njëjta duhet të konsiderohet ashtu edhe nga Kosova dhe vendet mike me Turqinë”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, Kosova nëse lejon qëndrimin e “gylenistëve” rrezikon të përjetojë tentim grushtshteti ngjashëm si Turqia.

“Përvojën e hidhur që ka përjetuar Turqia nuk duhet që ta përjetojë çdo shtet. Duke e njohur mentalitetin dhe qëllimin e FETO-s, janë organizatë që fshihen nën petkun e mësimit, ndërsa kanë qëllim të përfshirjes sa më të thellë në organizmin e shtetit. Për dikë nuk është rrezik i madh, por në Turqi përveç që janë infiltruar në shtet kanë pasur rol të madh në polici e inteligjencë të shtetit. Në natën e grushtshtetit ata bombarduan parlamentin, rezidencën presidenciale, objektet e policisë e civilët, shkelën me takse mbi njerëz. Duke e bartur këtë përvojë pse të presim edhe ne që të përjetojmë diçka të ngjashme në Kosovë. Motivi i tyre është marrja e pushtetit”, është shprehur Gashi.

Gashi ka thënë se reagimi i politikanëve kosovarë kundër dëbimit të gjashtë shtetasve turq ka ardhur për shkak “të prestigjit personal, sepse fëmijët i kanë nëpër shkollat e mësimdhënësve të dëbuar”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne