Bota

Gazeta austriake zbulon detajin e fortë nga Shtëpia e Bardhë: Si u fshi nga dokumenti fjalia për ‘njohje reciproke’!

Marrëveshja e firmosur në Shtëpinë e Bardhë mes Serbisë dhe Kosovës, në prani të vetë presidentit Donald Trump, ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare.

Një artikull për marrëveshjen ka shkruar edhe gazeta austriake “Die Presse”, e cila shkruan mes të tjerash se një nga qëllimet e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington ishte që të ndihmojë presidentin Donald Trump në fushatën për zgjedhjet e nëntorit.

Sipas gazetës së njohur, amerikanët kishin futur në dokument edhe fjalinë për “njohje reciproke” mes Kosovës dhe Serbisë, por një gjë e tillë është fshirë.

“Sipas raportimeve nga Prishtina, kërcënimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për të lënë qeverinë nëse Hoti nënshkruan një dokument që konfirmon pretendimet serbe ndaj liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës, shkaktoi trazira në delegacionin e Kosovës.

Për Trump, i cili po ashtu njoftoi njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe zhvendosjen e ambasadës serbe në Jerusalem, nuk është vendimtare aq shumë përmbajtja e saktë e marrëveshjes sesa ‘municioni’ për fushatën zgjedhore.

Interesi i ri i SHBA për projektin në ndërtim të Kosovës mund të zbehet përsëri: pas zgjedhjeve në SHBA, BE me sa duket do të luajë përsëri rolin e ndërmjetësit pa mirënjohje, në dialogun e ashpër mes fqinjëve të padëshirueshëm.

I besuari i Trump, Grenell nuk ishte i interesuar për përmbajtjen e marrëveshjes, deklaroi ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në pranverë, pasi u rrëzua me ndihmën e SHBA”, shkruan gazeta./Tpz

OPINIONE

INTERVISTA