Për herë të parë që nga themelimi, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Oda e Avokatëve të Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili u mundëson të gjithë anëtarëve të AGK-së përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas.
“OAK do të ju ofrojë përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas anëtarëve gazetarë të AGK-së në raste kur ata bëhen pjesë e proceseve gjyqësore për çështjet që kanë të bëjnë me punën e tyre, përfshirë edhe konsultat ligjore për anëtarët e AGK-së, të cilat i ndihmojnë gazetarët ta mbrojnë punën e tyre”, thuhet në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina dhe kryetari i OAK-së, Osman Havolli.
Palët nënshkruese, përmes këtij akti, janë zotuar për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme.
Kryetarja e AGK-së, Begolli Pustina, tha se kjo është ndër marrëveshjet më domethënëse për AGK-në, marrë parasysh që shumica prej gazetarëve, për shkak të pagave të ulëta, privohen që ta ndjekin të drejtën e tyre ligjore për shkak të kostos së lartë financiare të mbrojtjes ligjore.