Gazetari i “Independent”: Ka ardhur koha që Perëndimi të flasë për armët e shitura në Siri

Unë nuk mendoj që NATO-ja apo BE-ja të kenë interesin më të vogël për të zbuluar origjinën e armëve që ndodhen në duart e luftëtarëve në Siri apo në ndonjë vend tjetër të Lindjes së Mesme, shkruan Robert Fisk për “Independent”.

Robert Fisk, një gazetar i të përditshmes angleze “Independent”, ka shkruar një artikull me titull: “Për Perëndimin ka ardhur koha të shpjegojë se kujt ia shet armët në Siri”.

Analisti i gazetës “Indenpendent” për Lindjen e Mesme, Robert Fisk, ka gjurmuar gëzhojat e raketave që kishte gjetur në një bodrum në lindje të Halepit në Siri, qytet që për një kohë të gjatë ka qenë në duart e organizatave të armatosura.

Fisk shkruan se këto raketa, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), me anë të kontratave të shitjes për përdoruesin fundor kanë kaluar në duart e Al-Nusra, një organizatë terroriste që ka lidhje me al-Kaedën, dhe duhet nisur një hetim për të zbuluar se kujt dhe në çfarë mënyre janë shitur armët e prodhuara nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s.

Në artikullin e tij Fisk ndan me lexuesin edhe detaje mbi hulumtimet që ka bërë.

“Të dashur lexues, mbajeni shënim këtë numër: MFG BGM-71E-1B, edhe këtë: STOCK NO 1410-01-300-0254 dhe së fundmi edhe këtë kodin: DAA A01 C-0292. Këta numra unë i gjeta mbi gëzhojat boshe në një bazë të terroristëve, e cila ishte rrafshuar njësh me tokën gjatë bombardimeve në lindje të Halepit”, shkruan eksperti i Lindjes së Mesme.

Sipër gëzhojave të raketave që gjeta është shkruar “Hughes Aircraft Co”, një kompani e themeluar në Kaliforni në vitet 1930 nga Howard Hughes, i cili në atë kohë nuk kishte edhe nam të mirë, dhe që i është shitur kompanisë amerikane të mbrojtjes “Raytheon”, fitimi i të cilës vitin e kaluar llogaritet në 23,35 miliardë dollarë, vijon artikullin e tij Fisk, ndërsa shton se dy nga aksionerët e kësaj kompanie janë Banka Amerikane (Bank of America) dhe “Deutsche Bank”.

Fisk thotë se në dhomën e bodrumit të godinës së kthyer tashmë në gërmadhë në Halepin Lindor kishte me dhjetëra gëzhoja të tjera boshe me numra të njëpasnjëshëm serie të shkruar sipër tyre.

“Kjo do të thotë që këto armë, të cilat në treg shkurtimisht njihen edhe si raketa TOW, nuk kanë qenë pjesë e armëve të trafikuara nga CIA në Siri duke i kaluar ato nga Libia, por kanë qenë dërgesa në grup të vendosura mbi paleta që e kanë lënë vendin e tyre të origjinës me avionë ushtarakë”, shkruan Fisk në artikullin e tij për të përditshmen britanike “Independent”.

Javët e fundit kam biseduar edhe me prodhuesit e armëve në Ballkan,- shprehet Fisk,- të cilët më thanë se kishin obligim ligjor të hetonin se cili ishte blerësi i fundit i produkteve të tyre, përfundon ai./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne