Shqiperia

Gazmend Aga flet mbi demokracinë

Imam Gazmend Aga– Komuniteti Mysliman shqiptaro-amerikan

Sfida e ‘islamistëve’ me demokracinë

Një nga problemet e shumë myslimanëve është se akoma se kanë përtypur mirë demokracinë. Kështu, shumë myslimanë i shikon të trajtojnë të drejtat e njeriut në prizmin e ekonomisë ose interesave. Abc’ja e të gjithë teorive të demokracisë është mos cenimi i të drejtave të njeriut, edhe kur ato të drejta janë të minorancës. Abc-ja e vetë moralit njerëzor të fesë është mos sakrifikimi i parimeve për shkak të përfitimeve

Kështu, nuk është për tu habitur kur shikon ‘intelektualë’ ‘islamistë’ (duhet një term për të shprehur makiavelistët e fesë, definimin e këtij termi e bëri edhe Merkel) të arsyetojnë shkelje të të drejtave të njeriut me arsyetime përfitimi material.

Pra, i bie që Musai a.s. nuk duhej mbështetur sepse ekonomia në kohën e Faraonit (e supozojmë) ishte shumë mirë. Jezusit a.s. mirë ja bënë Romakët sepse ai prishi statuskuone, madje po të jetonim në atë kohë, duhej dënuar. Ai dhe dishepujt e tij sepse perandoria Romake do na ndihmojë të ndërtojmë rrugën. Nexhashiu, mbreti i krishterë që kujtohet me vlerësim të lartë nga myslimanët prej 14 shekujsh, duhet ti dorëzonte myslimanët e parë, sepse politeistët i premtuan para, madje thanë që kanë prishur dhe rendin e Mekës. Shqiptarët sipas këtyre bënë hata të madhe që nuk i dorëzuan hebrenjtë sepse jo vetëm Hitleri, por edhe opozita dhe ushtria e Hitlerit donte ti zhdukte hebrenjtë, atëherë kush dreqin ishim ne që të bëjmë të kundërtën. Sipas këtyre që flasin për rend demokratik, për Perëndim, Amerikë e Evropë, ne duhet të jemi me të fortin sepse jemi vend i vogël, pavarësisht shkeljes së të drejtave të njeriut. Në fakt është fat që jemi të drejtuar nga Evropa, me hir a pa hir. E them këtë pa hir, se të ishte për të korruptuarit dhe këta pseudo demokratët ‘islamistë’, ne do ishim diktaturë klasike ku do ishim më të fortin e s’do linim princip pa shkelur.

E pra, nëse ka të drejta për myslimanët në perëndim, kjo s’ka ardhur si rezultat i makiavelizmit, por i përpjekjes së shoqërisë civile për t’i dhënë të njejtat të drejta edhe pakicave, në këtë rast myslimanëve. Në fakt, një lexim korrekt i historisë tregon pikërisht këtë si arsyen kryesore të përhapjes së islamit në shekujt e parë;

Në një kohë ku perandoritë e mëdha ishin jo tolerante ndaj feve apo sekteve ndryshe (madje dhe të krishtera), feja e re, Islami, i jepte të drejtë praktikimi të gjithë grupeve të krishtera dhe hebrenjve. Pra, nuk ishin me të fortin, por me të drejtën. Ndoshta kjo është arsyeja që sot, ndodh e kundërta; të gjithë myslimanët përpiqen të emigrojnë në perëndim.

Pyetjes se kush është i forti në këtë rast, mund të themi se është ai që paguan. Sepse ndryshe nga ç’synojnë këta si të fortë, në fakt ata që janë realisht të fortët, po janë më korrektë me vlerat demokratike, vlerat universale dhe ato islame, më shumë se tregtarët e fesë.

OPINIONE

INTERVISTA