Gazprom përfundoi ndërtimin e 75% të tubacionit “Rrjedha Veriore 2”

Ndërmarrja ruse e energjisë “Gazprom” ka përfunduar punimet e shtrimit në det të tubave të gazsjellësit në gjatësi 855 kilometra, e cila përbën 75 për qind të projektit të tubacionit “Rrjedha Veriore 2”.

Kompania “Nord Stream 2 AG”, e cila është kompania ekzekutive e projektit “Rrjedha Veriore 2”, tha se ndërtimi i dy linjave arriti deri në ujërat territoriale të Gjermanisë dhe Finlandës.

Në deklaratë vihet në dukje se punimet për shtrimin e tubave të gazsjellësit në ujërat territoriale ruse po vazhdojnë, ndërsa thuhet se “kanë përfunduar punimet e shtrimit të tubave të gazsjellësit në gjatësi 855 kilometra, e cila përbën 75 për qind të projektit të tubacionit ‘Rrjedha Veriore 2’. Kompania ‘Nord Stream 2 AG’ po vazhdon punimet për të përfunduar edhe pjesën e mbetur prej 25 për qind të tubacionit”.

Planifikohet që kostoja totale e projektit “Rrjedha Veriore 2”, që do të dërgojë 55 miliardë metra kub të gazit rus në Gjermani përmes Detit Baltik, të jetë rreth 10 miliardë euro.

Partnerët e projektit, ndërtimi i të cilit kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ukraina, Polonia dhe vendet e Baltikut, janë kompanitë “Gazprom”, si dhe “Shell”, “OMV”, “Engie”, “Uniper” dhe “Wintershall”.

Rreth 30 për qind e 194,4 miliardë metrave kub të Gazprom-it të eksportuara në Evropë vitin e kaluar u dërguan përmes Ukrainës./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne