Gerry Adams i bën thirrje Irlandës që të dëbojë ambasadorin e Izraelit lidhur me vrasjet e protestuesve palestinezë

Ish lideri i Sinn Feinit, Gerry Adams, ka bërë thirrje që Irlanda të dëbojë ambasadorin izraelit lidhur me vrasjen dhe plagosjen e protestuesve palestinezë.

Të paktën 16 palestinezë u vranë të premten, teksa mijëra palestinezë po protestonin për të drejtën e kthimit të refugjatëve.

Z. Adams tha: “Nuk mund të ketë justifikim dhe shfajësim nga Izraeli për masakrën e kryer nga snajperët izraelitë kundër protestuesve palestinezë të paarmatosur në kufirin e Gazës me Izraelin.

“Unë e kam vizituar Gazën dhe qytetin izraelit të Sderotit në vitin 2009. Kushtet për pothuajse dy milionë palestinezë që mbijetonin në rripin e Gazës ishin të tmerrshme. Është një burg i hapur, i rrethuar nga Izraeli i cili po i mohon kërkesat bazë për një jetë më të denjë popullit të Gazës,” tha ai.

“Gjatë nëntë viteve të fundit, sulmet izraelite në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor janë rritur shumë. Më shumë të drejta të palestinezëve janë shkelur dhe më shumë tokë dhe ujë është vjedhur. Një numër i konsiderueshëm vendbanimesh të reja izraelite janë ndërtuar në shkelje flagrante me ligjin ndërkombëtar.”

Adams tha se i bën thirrje BE-se dhe OKB-së të merrnin një qëndrim kundër dhunës izraelite dhe i kërkoi qeverisë irlandeze të dëbonte ambasadorin izraelit “si hap i parë për njohjen formale dhe zyrtare të shtetit të Palestinës”.

“Koha e justifikimeve ka mbaruar,” shtoi ai.

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se 16 palestinezë u vranë nga Izraeli dhe më shumë se 750 u qëlluan me plumba të vërtetë, duke e kthyer atë në ditën më të përgjakshme që nga lufta e vitit 2014 mes Izraelit dhe Hamasit.

Gjatë konfrontimeve të së premtes, turma të mëdha protestuesish u mblodhën pranë kufirit bashkë me grupe më të vogla protestuesish që shkonin përpara, duke hedhur gurë dhe duke djegur goma.

Trupat izraelite u përgjigjën duke perdorur plumba të vërtetë, ndërsa dronët hidhin gaz lotsjellës nga lart. Ushtria izraelite publikoi ​​video që tregonin ushtarët e armatosur të pozicionuar në një vend të lartë me pamje nga skena.

Gjenerali Ronen Manelis, zëdhënësi kryesor i ushtrisë, i mohoi akuzat për përdorimin e tepruar të forcës, duke thënë se ata që u vranë nga trupat izraelite ishin persona te moshave 18 dhe 30 vjeç, të cilët ishin të përfshirë në dhunë dhe i përkisnin fraksioneve militante.

Të shtunën, u mbajtën protesta në Derry, Belfast dhe Dublin në shenjë solidariteti me palestinezët dhe kundër vrasjeve të protestuesve palestinezë nga Izraeli./belfasttelegraph/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne