Gezim Zilja publikon dokumentin: “Klubi Labëria u kalua nga Monument Kulture i Kategorisë së Parë në të Dytë për t’i hapur rrugë Muzeut Hebraik”

Ish-kryetari i Bashkisë Vlorë dhe publicisti Gezim Zilja ka publikuar një dokument zyrtar të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, duke ngritur akuza për ndërhyrje në Qendrën Historike të Vlorës.

Në postimin e tij, Zilja njofton hapjen e një rubrike me dokumente dhe letërkëmbime që, sipas tij, lidhen me Ministrinë e Kulturës, shoqërinë “Atelier 4” dhe Bashkinë Vlorë.

Në dokumentin e datës 12 dhjetor 2022, me vendim nr. 537, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miraton kërkesën e shoqërisë “Atelier 4” për rishikimin e statusit të pasurisë kulturore “Klubi Labëria”, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Sipas vendimit, pasuria kategorizohet nga Monument Kulture i Kategorisë së Parë në Monument Kulture të Kategorisë së Dytë.

Në të njëjtin dokument miratohet edhe “Projekt-ideja” për Muzeun Hebraik Shqiptar në Vlorë, me aplikues shoqërinë “Atelier 4” dhe zhvillues Ministrinë e Kulturës.

Zilja pretendon se ndryshimi i kategorisë së monumentit kishte si qëllim lejimin e ndërhyrjeve në strukturat e brendshme të godinës, ndërsa ngre pyetjen nëse ky proces i ka hapur rrugë projektit për Muzeun Hebraik.

Ai argumenton se diferenca mes dy kategorive është e rëndësishme, pasi një Monument Kulture i Kategorisë së Parë gëzon mbrojtje më të rreptë, ndërsa në Kategorinë e Dytë fokusi kryesor i mbrojtjes lidhet me vlerat dhe pamjen e jashtme të objektit.

Në postimin e tij, Zilja e cilëson këtë si pjesë të një procesi që, sipas tij, rrezikon “zhdukjen e Qendrës Historike” së Vlorës.

Dokumenti i publikuar mban firmën e sekretarit të Këshillit, Eugen Kallfani, dhe vulën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, Elva Margariti, asokohe ministre e Kulturës.

Dokumenti parashikon gjithashtu se vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe mund të ankimohet në gjykatën kompetente./blic news

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne