Gjashtë izraelitë të lënduar në protestën pranë rezidencës së Netanyahut

Gjashtë izraelitë u lënduan kur policia izraelite u përpoq t’i largojë protestuesit para shtëpisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Kudsin Perëndimor, njoftuan mediat izraelite.

Gazeta Times of Israel tha se përleshjet shpërthyen kur policia dhe inspektorët komunalë evakuuan një vend proteste për herë të dytë pranë rezidencës zyrtare të Netanyahut.

Gjashtë protestues janë lënduar gjatë konfrontimit me policinë.

Protesta ishte pjesë e lëvizjes “Flamujt e Zi”, e cila muajt e fundit ka organizuar protesta të shumta për të kërkuar dorëheqjen e Netanyahut.

Netanyahu, 70 vjeç, është kryeministri i parë izraelit që u përball me gjyq gjatë detyrës, ndërsa ai mohon akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.

Në një deklaratë, organizatorët e protestës thanë se “një grup prej rreth 30 policësh, oficerësh të policisë dhe inspektorësh të qytetit sulmuan kampin në (rrugën) Balfour dhe demonstruesit, të cilët lejohen të jenë atje”.

“Pa identifikuar veten ose pa paraqitur ndonjë urdhër të gjykatës, ata filluan të konfiskonin dhunshëm pronën private të protestuesve, pa dhënë sqarime për konfiskimin. Policia dhe inspektorët hoqën shenjat e varura në koordinim me policinë dje, ndërsa inspektorët u përleshën me civilët”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, komuna e Kudsit mohoi akuzat për përdorim të dhunës, duke thënë: “Këtë mëngjes, përsëri, pajisjet e vendosura pa leje dhe që cenuan paqen u hoqën. Çdo pretendim për përdorim të dhunës është hetuar dhe është gjetur të jetë i rremë”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne