Gazetari Gjergji Thanasi ka sfiduar publikisht ministrin e Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, dhe ekspertin francez David Colon në një duel mediatik dhe në fushën e marrëdhënieve me publikun, pas reagimit të ministrit për rrezikun e manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve të huaja.
Në një reagim publik, Thanasi deklaron se e sfidon ministrin dhe Colonin, duke parashikuar se ky i fundit do të dështojë, sipas tij, edhe më keq se GAL, ish-zëvendësshefi i misionit të Ambasadës së Izraelit në Tiranë.
Gazetari i referohet asaj që e cilëson si dështim të GAL-it gjatë asaj që ai e quan “Revolucioni Flamingo”, duke pretenduar se në atë përballje, Gjenerata Z dhe disa qytetarë më të moshuar u bashkuan në kundërshtimin e qeverisë dhe politikave të saj.
Në reagimin e tij, Thanasi përdor gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke e paraqitur sfidën si një përballje për ndikimin publik dhe të ardhmen e Shqipërisë.
“Atdheu im Shqipëria është tokë ‘vakëf’, nuk gllabërohet kollaj”, shkruan Thanasi, duke e mbyllur reagimin me shprehjen franceze “Cherchez le juif” (Kërkoni hebreun).
Reagimi i gazetarit vjen pasi Ferit Hoxha, përmes një postimi në rrjetin social X, e cilësoi manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në informacion si një realitet që duhet përballuar. Ai paralajmëroi për përdorimin e dezinformimit dhe manipulimit për të dobësuar besimin te institucionet demokratike dhe për të cenuar interesat strategjike të vendit, duke iu referuar edhe ekspertit David Colon. Thanasi kundërshton publikisht këtë qasje dhe kërkon një përballje të drejtpërdrejtë mediatike me ministrin dhe ekspertin francez. Sfidën e tij e shoqëron me akuza politike dhe paralajmërimin se, sipas tij, edhe kjo përpjekje do të përfundojë në dështim./gazetaimpakt
















