Gjermani – Belit Onay zgjidhet kryebashkiak i Hanoverit, i pari me origjinë turke

Belit Onay, një parlamentar 38-vjeçar nga Partia e Gjelbër, fitoi të dielën 52,9 për qind të votave në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale duke mposhtur rivalin e tij Eckhard Scholz, kandidat i pavarur që gëzonte mbështetjen e Unionit Demokristian (CDU).

Ai u bë gjithashtu politikani i parë me origjinë turke që fitoi postin e kryetarit të bashkisë në një qytet të madh gjerman.

Gjatë fushatës së tij elektorale, ai premtoi ta shndërrojë Hanoverin në një qytet miqësor ndaj mjedisit e klimës, të luftojë për strehim të përballueshëm dhe të përmirësojë kohezionin social.

Onay është një nga politikanët e rinj më të njohur të Partisë së Gjelbër ambientaliste dhe promigracion, e cila gëzon mbështetje të madhe në mesin e votuesve me prejardhje emigrante.

Politikani me origjinë turke falënderoi të gjithë mbështetësit e tij gjatë një fjalimi emocionues në selinë e Bashkisë Metropolitane të Hanoverit, e cila drejtohej prej 73 vitesh nga kryetarë të zgjedhur nga radhët e Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD). Kjo do të jetë hera e parë që bashkia e madhe e Hanoverit do të drejtohet nga Partia e Gjelbër.

Gjermania ka një komunitet turk prej mbi 3 milionë banorësh dhe shumë prej tyre janë qytetarë gjermanë të lindur si gjeneratë e dytë apo e tretë, gjyshërit e të cilëve janë turq të emigruar në këtë shtet gjatë viteve 1960. /trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne