Gjermani, dhjetëra të arrestuar në protestat kundër masave kufizuese

Policia gjermane bëri të ditur se janë arrestuar dhjetëra njerëz në protestat kundër masave parandaluese të pandemisë pasi disa tubime u kthyen në dhunë të shtunën.

Policia e Berlinit tha se 86 persona u arrestuan pasi hodhën shishe mbi oficerët gjatë një demonstrate në Alexanderplatz, në sheshin e madh qendror në ish-Berlinin Lindor, ku u plagos një efektiv, kurse një tjetër u plagos në një incident të veçantë përpara ndërtesës së Reichstag, ku u arrestuan 45 persona të tjerë.

Në qytetin perëndimor Dortmund, policia njoiftoi se një burrë sulmoi një ekuipazh televiziv gjatë protestës, sulmi i tretë i tillë në Gjermani në dy javët e fundit. Sulmuesi 23-vjeçar u arrestua.

Policia në rrethinën e Këlnit ka shprehur zemërim se disa protestues në qytet u kanë kërkuar blerësve që të hiqnin maskat kur të hynin në dyqane.

“Duket sikur këta njerëz ende nuk e kanë kuptuar që nuk ka të bëjë vetëm me shëndetin e tyre, por ka të bëjë edhe për jetën e të tjerëve”, tha shefi i policisë në Këln.

Përkundër lehtësimit gradual të masave kufiziuese të koronavirusit në Gjermani javët e fundit, protestat kundër tyre janë rritur, duke mbledhur grupe të ekstremit të djathtë dhe njerëz që besojnë se virusi është i padëmshëm ose pjesë e një komploti global./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne