Gjermani, mijëra njerëz në protesta, kërkojnë nga BE hapjen e kufijëve

Në kryeqytetin gjerman Berlin të shtunën u organizuan protesta, ku mijëra protestues kërkuan nga Bashkimi Evropian (BE) të pranojë azilkërkuesit në kufirin e Greqisë.

Gjatë protestës së madhe të organizuar nga lëvizja Seebrucke (Ura e Detit), protestuesit kritikuan politikën e migracionit të BE-së me parulla që bënin thirrje për kufij të hapur dhe veprime për të ndihmuar azilkërkuesit.

Një nga folësit në demonstratë tha: “Ne e dimë se ka hapësirë ​​në Gjermani për azilkërkuesit që janë mbytur, poshtëruar, torturuar dhe vrarë në kufirin grek”.

Lëvizja Seebrucke njoftoi se 4.000 njerëz morën pjesë në protesta, kurse 5.000 të tjerë morën pjesë në një demonstrim të ngjashëm në Hamburg.

Duke thënë se BE nuk arriti t’i mbajë premtimet e veta për të mbështetur refugjatët në Turqi, Ankaraja kohët e fundit njoftoi se nuk do të përpiqet t’i ndalojë azilkërkuesit që duan të arrijnë në Evropë.

Mijëra azilkërkues janë grumbulluar në provincën Edirne të Turqisë, e cila kufizohet me Greqinë dhe Bullgarinë, duke u përpjekur të arrijnë në Evropë.

Reagimi grek ndaj azilkërkuesve ka qenë shumë i ashpër, i karakterizuar me dhunë, sulme dhe gaz lotësjellës, ndërsa ka pasur dhe disa të vrarë nga forcat greke.

Turqia, e cila tashmë strehon rreth 4 milionë emigrantë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë, ka thënë se nuk do të jetë në gjendje të përballojë një valë të re refugjatësh./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne