Gjermani: muslimanët shërbejnë ushqim dhe miqësi për Ramazan në përballje të së djathtës ekstreme

Në një përpjekje për të përballur Islamofobinë, komuniteti mysliman në Brunswick fton vizitorët kureshtarë për të darkuar me ta gjatë Muajit të Shenjtë.

Në nisje të mbrëmjes, përpara se të thyhet agjërimi i përditshëm,  Sadiqu Almousllie, një 47-vjeçar me një buzëqeshje mikpritëse, mban një parullë të madhe ku mund të lexohet: “Unë jam mysliman. Çfarë do ju pëlqente të dinit?”

Muzika që vjen nga brendësia e një tende aty afër dhe karriket e rehatshme ftojnë banorët e Brunswick të bashkohen me festën.

Komuniteti mysliman i qytetit ka ngritur një tendë Ramazani në qendër, pranë një kishe të madhe luteriane të shekullit të 12-të dhe vetëm pak metra më tutje vendit ku Almousllie dhe familja e tij u sulmuan me fjalë, vitin e kaluar.

“Ne po u japim njerëzve mundësinë të njohin muslimanët, të hyjnë në bisedë me ta”, thotë Almousllie, i cili mbërriti në Gjermani pothuajse 30 vjet më parë si student universitar.

Vitin e kaluar, një i panjohur i bërtiti atij dhe familjes së tij: “Kthehuni në shtëpi”. Ai ishte përgjigjur: “Kjo është shtëpia jonë. Fëmijët e mi janë lindur në këtë vend dhe kjo është shtëpia e tyre”.

Por, në këtë mbrëmje Ramazani, ai u afrohet kalimtarëve dhe i inkurajon ata ta pyesin për çdo gjë për Islamin – asnjë çështje e ndaluar.

Ndërsa afrohet ora e thyerjes së agjërimit, 9.30 e mbrëmjes, me dhjetëra muslimanë të Brunswick mbushin tendën.

Ky është viti i shtatë radhazi që komuniteti ngre tendën e Ramazanit për të inkurajuar komunikimin ndër-fetar.

“Në fakt, nuk kam qenë kurrë në një prej këtyre aktiviteteve dhe dëshiroja të mësoja pak më shumë për to”, thotë Lisa-Marie Jalyschko, anëtare e këshillit të qytetit Brunsëick e cila punon në selinë e Volksvagenit.

“Është e rëndësishme të përfshijmë kultura dhe ngjarje të ndryshme kulturore në jetën e qytetit tonë. Është e rëndësishme të promovosh këto aktivitete për të treguar se muslimanët janë po ashtu, pjesë e shoqërisë sonë”.

Izzat, një sirian rreth të njëzetave mbërriti në Gjermani 18 muaj më parë dhe tani po studion gjermanishten. Ai është i zënë duke shërbyer ushqimin – supë me thjerrëza, pulë, qebap dhe bukë.

“Gjermania është një tokë e krishterë. Shumica e njerëzve nuk dinë në të vërtetë për Islamin dhe çfarë do të thotë Islami”, thotë Izzat i cili kërkon anonimitet për shkak se anëtarët e familjes së tij ndodhen në Siri. “Prandaj, ne duhet të prezantojmë veten tek komuniteti në të cilin jetojmë”.

Brunswick ndodhet 300 kilometra larg Dresdenit, ku Europianët Patriotë kundër Islamizimit të Europës, Pegida janë popullorë dhe vetëm 20 kilometra larg Salzgitter, një qytet që tetorin e kaluar vendosi të ndalonte refugjatët.

Almousllie, i cili shërben si kreu i Këshillit qendror të muslimanëve në Saksoninë e Ulët, ka vënë re rritje domethënëse të sulmeve verbale dhe fizike kundër muslimanëve në dy vitet e fundit.

Letra plot urrejtje që fyenin Profetin Muhamed u dërguan në xhaminë e Brunswick vitin e kaluar, dhe një pasdite, pas faljes së përbashkët, një burrë hapi zjarr në derën e xhamisë, duke thirrur “muslimanë të qelbur” dhe më pas, u largua.

“Është një situatë që po bëhet keq e më keq”, thotë ai.

Sipas ministrisë së Brendshme Federale gjermane, më shumë se 1 mijë sulme islamofobe u regjistruan në vitin 2017, viti i parë që regjistrohen të dhëna të kësaj natyre.

Të paktën 33 muslimanë u plagosën në sulme, që përfshinin ngacmime kundrejt grave myslimane me shami dhe vandalizim të xhamive dhe institucioneve të tjera myslimane, tha ministria.

Këto sulme përfshinë 4.1 për qind të popullsisë në vitin 2010, dhe 6.1 për qind në vitin 2016, kryesisht për shkak të mbërritjes së refugjatëve nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

Ndërsa rritej numri i muslimanëve, e djathta ekstreme u rrit po ashtu me përhapjen e ndikimit të lëvizjes Pegida dhe ndërsa partia Alternativa për Gjermaninë kapi vendin e tretë në zgjedhjet e fundit federale.

Por, Islamofobia në Gjermani nuk ka nisur së fundmi, sipas profesorit Kai Hafez nga universiteti Erfurt, i cili është autor i disa librave për Islamin në Perëndim.

Hafez shpjegon se stereotipet negativë për muslimanët u bënë më të dukshëm në debatin publik ndërsa Pegida dhe AfD e vendosën Islamofobinë në axhendat e tyre politike.

Gjermania është tashmë në pikën ku duhet luftuar islamofobia ashtu si u luftua anti-semitizmi në mes të shekullit të kaluar, sipas Hafez.

“Në fillimin e viteve ’60, një pjesë e madhe e popullsisë gjermane ishte anti-semite, dhe vetëm atëherë kur ne nisëm programet përmes arsimimit, medias, filmave, shumë njerëz nisën të kuptonin realisht se çfarë do të thoshte anti-semitizmi dhe nga ajo pikë e më pas – le të themi në mesin e viteve ’60 – ndodhi që situata vërtet ndryshoi”.

“Ne duhet të mendojmë për të krijuar nisma shoqërore të shkallës së gjerë në të njëjtën linjë”, shton Hafez.

“Kjo kërkon bashkëpunimin e sistemit arsimor, akademik dhe mas-medias si dhe partive politike për të ndryshuar realisht Islamofobinë në shoqëri. Islamofobia nuk është diçka që do të zhduket pa një përpjekje të bashkërenduar”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne