Bota Islamofobi

Gjermani, politikani mysliman kërcënohet me vdekje

Politikani gjermano-turk Haluk Yıldız tha sot se ka marrë letra të shumta islamofobike dhe kërcënime me vdekje në javët e fundit, përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian (PE) më 26 maj, raporton Anadolu Agency.

Haluk Yıldız, kreu i subjektit politik pro-imigrimit, Aleancës për Inovacion dhe Drejtësi (BIG), tha se letrat janë dërguar nga persona të panjohur dhe përfshinin fyerje dhe kërcënime ksenofobike.

“Në një nga letrat ata thonin se e kemi kaluar vijën. Pohonin se vetëm gjermanët kanë të drejtë fjale në këtë vend”, tha ai, duke shtuar se këto kërcënime i marrin shumë seriozisht për shkak të dhunës së shtuar neonaziste në vitet e fundit.

“Por, kërcënimet e tilla nuk do të na pengojnë. Ne do ta vazhdojmë luftën tonë politike këtu”, tha ai.

Yıldız është kandidati kryesor i BIG, parti e vogël e themeluar në vitin 2010 nga një grup emigrantësh në Gjermani.

Partia shpreson të fitojë një vend në Parlamentin Europian për herë të parë./AA

OPINIONE