Gjermani – Vitin e kaluar janë regjistruar 1 mijë e 75 raste të krimeve islamofobe

Vitin e kaluar në Gjermani janë kryer gjithsej 1 mijë e 75 raste të reja të krimeve islamofobe.

Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer në deklaratën e bërë gjatë mbledhjes promovuese të “Raportit Statistikor i Krimeve për vitin 2017” të mbajtur në Qendrën Federale të Informimit, tha se vitin e kaluar janë kryer 1 mijë e 75 krime islamofobe.

Krimet në fjalë përbëhen nga veprat e hedhjes së gjakut të derrit në xhami, dërgimi i letrave kërcënuese, sulmet ndaj grave me shami në kokë, shkrimi i simboleve naziste nëpër shtëpi dhe xhami dhe përhapja e shkrimeve me përmbajtje të urrejtjes në internet.

Pasi që krimet islamofobe në Gjermani për herë të parë kanë filluar të regjistrohen vitin e kaluar nuk mund të bëhet krahasimi me numrin e rasteve të një viti më parë.

Ndërkohë bëhet e ditur se numri i krimeve të përgjithshme të kryera vitin e kaluar në Gjermani është ulur me 9,6 për qind në krahasim me vitin 2016.

Sipas kësaj numri i përgjithshëm i krimeve të kryera vitin e kaluar ka qenë 5 milionë e 76 mijë, ndërkaq në vitin 2016 kjo shifër ishte 6 milionë e 37 mijë raste.

Ministri i Brendshëm, Seehofer tërhoqi vëmendjen se numri i krimeve të kryera vitin e kaluar tregon numrin më të ulët të krimeve të kryera gjatë 30 viteve të fundit, ndërsa bëri të ditur se “Gjermania tani është bërë më e sigurt, por askush nuk mund të garantojë siguri 100 për qind”.

Vitin e kaluar në Gjermani janë kryer 2 mijë e 379 vrasje, 11 mijë e 282 përdhunime dhe ngacmime seksuale./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne