Autoritetet gjermane po shqyrtojnë tetë lokacione të mundshme për zhvendosjen e bazës së tyre ajrore që ndodhet aktualisht në Inçirlik të Turqisë.
Opsionet u thanë në komisionin e hetimit parlamentar, raporton e përditshmja gjermane “Die Welt”. Qeveria gjermane tha se disa prej vendeve që po shqyrtohen janë Jordania, Kuvajti dhe Qiproja. Dy vendet e para kanë tre vende të mundshme për bazën e re, ndërsa dy lokacione janë të mundshme në Qipro, ku ndodhet baza ajrore britanike në Akrotiri dhe në qytetin e Pahpos. Qeveria thotë se vendet tashmë janë vizituar edhe nga specialistët përkatës gjermanë, por se nuk ka ende bisedime për stacionimin e mundshëm. Vendimi vjen ndërkohë që marrëdhëniet diplomatike midis Turqisë dhe Gjermanisë janë acaruar së tepërmi, ndërsa deputetë gjermanë kanë shprehur shqetësimin se ushtarakët e tyre mund të merren peng në Turqi. Florian Hahn, zëdhënësi për sigurinë dhe politikën e jashtme të CSU-së, tha se ushtarët dhe oficerët gjermanë mund të bëhen peng i lojërave politike të Turqisë. Gjermania ka edhe një tjetër bazë ushtarake në Konia të Turqisë, 350 km në perëndim të Incirlik./ PT