Gjermania po shqyrton ndihmat për Greqinë dhe Turqinë lidhur me refugjatët

Sekretari i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, Stephan Mayer, tha se qeveria gjermane po shqyrton ndihmat e mundshme shtesë për Greqinë dhe Turqinë lidhur me çështjen e refugjatëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në përgjigje të pyetjes së deputetit të partisë së majtë, Gökay Akbulut, lidhur me numrin e refugjatëve që po rritet në ishujt e Greqisë, Mayer ka rikujtuar se marrëveshja Bashkim Evropian (BE) – Turqi ruan vlefshmërinë e saj.

Pavarësisht përpjekjeve të palës turke numri i refugjatëve të parregullt në ishujt e Greqisë është në rritje tha Mayer i cili tha se “Qeveria gjermane po shqyrton ndihmat e mundshme shtesë për Greqinë dhe Turqinë. Kjo çështje po koordinohet me partnerët tanë evropianë”.

“Gjermania po mbështet agjencinë evropiane për mbrojtjen e kufijve FRONTEX, me 34 policë në ishujt grekë si dhe 19 policë gjermanë janë duke kryer detyrën në kuadër të FRONTEX në vende të ndryshme të Greqisë”, theksoi Mayer.

Mayer vuri në dukje se edhe 15 punonjës të Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BMAF) gjithashtu ofrojnë mbështetje në vend për autoritetet vendase të Greqisë.

Ndërkohë, më 3-4 tetor, ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, bashkë me ministrin e Brendshëm francez, Christophe Castaner dhe komisionerin e BE-së për migracionin, Dimitris Avramopoulos, do të vizitojnë Turqinë dhe Greqinë.

Është njoftuar se gjatë vizitës, Seehofer do të diskutojë me homologun e tij grek dhe turk mbi politikën e migracionit dhe se bisedimet në Turqi do të jenë kryesisht mbi zbatimin e marrëveshjes BE-Turqi. / AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne