Gjermania punon që 5 vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, pas takimit me Kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, deklaroi se vendi i tij është duke punuar që t’i bindin pesë vendet e Bashkimit Evropian (BE) për të njohur shtetin e Kosovës.

Vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur janë Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Gabriel duke përgëzuar Kryeministrin Haradinaj për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, rikujtoi se Gjermania është ndër vendet e para që e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Duke theksuar se Gjermania dëshiron që ta shoqërojë Kosovën drejt integrimit në Bashkimit Evropian (BE), i cili është synimi përfundimtar i këtij vendi, Gabriel theksoi se janë duke punuar që t’i bindin për njohje pesë vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Shefi i diplomacisë gjermane poashtu tha se janë duke punuar që këto pesë shtete të binden që Kosova nuk do të jetë më pjesë e Serbisë, duke shtuar se zgjidhja e anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE është në interes të të dyja palëve.

“Ne edhe në Beograd kemi theksuar se nëse Serbia dëshiron të shkojë në drejtim të BE-së duhet t’i plotësojë kriteret e shtetit ligjor, natyrisht edhe pranimin e pavarësisë së Kosovës. Ky është një parakusht për rrugën e tyre në BE. Për këtë ju mund të llogarisni mbështetjen tonë”, tha Gabriel.

Ai tha se vendi i tij dëshiron të mbetet një partner i qëndrueshëm jo vetëm në sferën politike, por edhe në atë ekonomike, me qëllim që Kosova të arrijë një stabilitet politik dhe ekonomik.

Gabriel, i cili foli edhe për sfidat e Kosovës të cilat duhet të zgjidhen, si çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe përkrahja e Gjykatës Speciale nga institucionet shtetërore të Kosovës, tha se Gjermania dëshiron që ta ndihmojë Kosovën në zbatimin e shtetit ligjor.

“Ne angazhohemi që Kosova të përgatitet për çështje jo të këndshme dhe një nga këto është Dhoma e Specializuar që do të trajtojë krimet e mundshme të luftës. Unë jam i lumtur që kam dëgjuar se ka vullnet për t’u zgjidhur edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Ne e mbështesim edhe këtë, sepse është në të mirë të qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të ketë liberalizim të vizave”, tha Gabriel.

Ndërsa Kryeministri Haradinaj, nga ana e tij, theksoi se vizita e Gabrielit është një mundësi ideale për zhvillimet në Kosovë, siç tha ai, për t’i shprehur bindjet tona për të arriturat e Kosovës. Ai shtoi se Gjermania gjithmonë ka dhënë përkrahjen e saj për Kosovën që nga kohërat e vështira në të gjitha dimensionet, në ato ushtarake dhe në ndërtimit të jetës politike e ekonomike.

Haradinaj tha se Gjermania ka dhënë një kontribut për paqen në Kosovë dhe rajon duke bërë të ditur se do të hapet edhe një etapë e re me një park ekonomik ku do të valojë flamuri i Gjermanisë. Ai poashtu i ftoi investitorët nga Gjermania për të investuar në Kosovë, duke theksuar se shteti i Kosovës ka resurse dhe potencial të mirë për zhvillim ekonomik.

“Ne e përshëndesim progresin e të gjitha vendeve të rajonit drejt BE-së. Strategjia e BE-së për Ballkanin Perëndimor ka paraparë perspektivë evropiane edhe për Kosovën. Ne konstatuam se një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë është e nevojshme dhe duke mos folur për kohën kur do të ndodhë ne e mirëpresim një zgjidhje të tillë. Kosova është e vendosur në perspektivën evropiane”, tha Haradinaj. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne