Gjermania reagon ndaj vendimit amerikan për sanksione

“Amerikanët nuk mund t’i dënojnë kompanitë gjermane vetëm pse bëjnë tregti me shtete të tjera”, ka thënë Zypries për gazetat e Grupit Mediatik Funke.

FRANKFURT – Ministrja e Ekonomisë dhe Energjisë e Gjermanisë, Brigitte Zypres, ka reaguar ndaj projektligjit të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që parasheh sanksione ndaj Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut, duke thënë se projektligji që i parasheh këto sanksione shkel të drejtën ndërkombëtare.

“Ne e vlerësojmë këtë thjesht si një kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Amerikanët nuk mund t’i dënojnë kompanitë gjermane vetëm pse bëjnë tregti me shtete të tjera”, ka thënë Zypries për gazetat e Grupit Mediatik Funke.

“Komisioni Evropian duhet të marrë kundërmasa. Gjithsesi, ne nuk duam luftë tregtare. Megjithatë, është e rëndësishme që Komisioni Evropian të vlerësojë kundërmasat”, ka shtuar ajo.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gariel, më herët ka theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të pranojnë që sanksionet amerikane të përdoren ndaj kompanive evropiane jashtë vendit.

“Politikat e sanksioneve nuk janë mjet i përshtatshëm për t’i inkurajuar eksportet kombëtare dhe sektorin energjetik të brendshëm”, është shprehur Gabriel.

Ndryshe, Senati Amerikan miratoi të enjten sanksione të reja kundër Rusisë, për shkak të rolit të saj në konfliktin në vazhdim në Ukrainën lindore. Nëse mbështetet nga Trump, qasja e re e ashpër kundër Rusisë kërcënon biznesin e kompanive të mëdha gjermane të energjisë.

Sanksionet e sapopropozuara përfshijnë masa të mundshme ndaj kompanive që japin mbështetje financiare ose teknologjike për tubacionet ruse për eksportin e energjisë.

Kompanitë gjermane kanë shprehur shqetësime për pasojat e mundshme për tubacionin e planifikuar të gazit natyror Nord Stream II ndërmjet Rusisë dhe Gjermanisë.

Gabriel ka favorizuar Nord Stream II dhe lidhje më të ngushta ekonomike me Rusinë, si një mënyrë për të fituar ndikim politik mbi Moskën.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne