Gjermania zbulon një rrjet terroristësh kristjanë

Armë, municione dhe drogëra janë konfiskuar nga një rrjet ekstremistësh të krahut të djathtë që veprojnë në kampet e trajnimit paraushtarak në pyjet gjermanë, mes frikës nga një sulm i mundshëm.

Hetuesit në shtetin e Turingisë thanë se të paktën 13 të dyshuar të njohur ishin pjesë e grupit, duke përfshirë disa pjestarë të një “lëvizjeje ndërkombëtare aktive të djathtë”.

Zyra shtetërore e hetimeve penale tha se së bashku me një sasi të vogël droge u zbuluan armë me rreze të shkurtër dhe të gjatë, municione dhe armatime të tjera.

Policia gjithashtu sekuestroi, telefonat celularë dhe kompjuterët e grupit në 14 prona në Turingi, Erfurt dhe Göttingen, në Saksoninë e Ulët.

Një zëdhënës tha se operacioni kishte në shënjestër një “organizatë kriminale” të akuzuar për ngritjen e kampeve të trajnimit paraushtarak në pyjet e rajonit, duke shtuar: “Disa nga të dyshuarit besohet të jenë anëtarë të një lëvizjeje ekstremiste të krahut të djathtë ndërkombëtar, që synon të shfuqizojë Rendin social dhe qeveritar të Gjermanisë dhe të shteteve të tjera evropiane”.

Bastisjet u koordinuan nga forca antiterror e Gjermanisë GSG 9, e mbështetur nga policia nga gjashtë shtete. Autoritetet nuk konfirmuan nëse grupi po komplotonte ndonjë sulm.

Gjatë kërkimeve, një njeri i cili nuk ishte nën hetim u arrestua pasi sulmoi dhe plagosi dy oficerë.

Një tjetër i dyshuar u arrestua për përdorimin e simboleve të “organizatave antikushtetuese” – një frazë e përdorur shpesh nga autoritetet e Gjermanisë për t’iu referuar simboleve të periudhës naziste, përfshirë këtu edhe svastikën.

Zyrtarët thanë se i dyshuari me armë “të shumta” besohej të ishte anëtar i të ashtuquajturës Lëvizja Reichsbürger, e cila pretendon se shteti aktual gjerman është i paligjshëm dhe mendohet se ka lidhje neo-naziste.

Policia po heton tani nëse do të tërheqë liçencën e armëve të zjarrit.

Një Reichsbürger vrau një oficer policie gjatë një bastisje në Bavari në tetor, duke tronditur Gjermaninë dhe duke nxitur një goditje qeveritare mbi grupet e ringjallura të ekstremit të djathtë.

Politikanët nga partia gjermane “Die Linke” pretenduan se rrjeti i zbuluar të premten ishte i lidhur me grupin e djathtë ekstremist Europëische Aktion, i cili u themelua nga një mohues zviceran i Holokaustit në vitin 2008.

Synimet e deklaruara nga Europëische Aktion përfshijnë krijimin e një “konfederate” evropiane që do të shfuqizonte euron dhe BE-në, do të detyronte kthimin e cilitdo që gjykohej jo-europian në vendet e tyre të origjinës dhe do të shfuqizonte Gjermaninë dhe Austrinë në favor të një “Reichi” me kufijtë e para Luftës së Dytë Botërore.

Faqja e saj në Facebook, e cila mbetet online, propagandon ideologjinë supremaciste neo-naziste, antisemite dhe të bardhë, duke pretenduar ekzistencën e një “fushate të planifikuar për të shfarosur popujt indigjenë të Europës” me një “pushtim” nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia.

Anëtarët e Europäische Aktion janë të bazuar në Gjermani, Zvicër dhe Austri, por janë aktivë në një grup shumë më të gjerë, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Hungarinë, Spanjën dhe Suedinë.

Die Welt raportoi se organizata kishte ndërmend të shpërndahej dhe riformulohej me një emër tjetër për të shmangur hetimet nga autoritetet.

Gjermania është tronditur nga një seri sulmesh terroriste të lidhura me ISIS, si dhe vrasjen e Reichsbürger dhe komplotet e fshehura nga islamistët dhe ekstremistët e djathtë.

Më herët këtë vit, një ushtar i Bundeswehr u gjet duke u paraqitur si një refugjat sirian për të komplotuar një sulm të shtënash që prokurorët thanë se kishte për qëllim ta kthente Gjermaninë kundër migrantëve.

Një grup ekstremistësh nga grupi i ekstremit të djathtë Oldschool Society janë hedhur në gjyq për një komplot për të sulmuar një strehimore azilantësh, ndërsa një bombë e punuar me dorë e zbukuruar me një svastika dhe me simbolin SS nazist u zbulua më herët këtë vit.

Mijëra sulme në qendrat e refugjatëve janë dokumentuar si pjesë e rritjes së dhunës politike nga ana e krahut të djathtë dhe të majtë, mes tensioneve të larta mbi ardhjen e më shumë se një milion azil-kërkuesve në Gjermani dhe mbi sulmet seksuale në Këln.

Të enjten, Bundestagu votoi për të ndërprerë financimet shtetërore për Partinë e Djathtë Demokratike (NPD).

Partia, e parë nga agjensia e inteligjencës gjermane si raciste, antisemite dhe revizioniste, kurrë nuk ka fituar një vend në parlamentin federal dhe ka humbur të gjitha vendet e saj në asambletë rajonale.

Por ajo ruan përfaqësuesit e këshilleve lokalë, dhe kështu merr rreth 1 milionë euro nga qeveria gjermane. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne