Gjigandi kinez vendos të luftojë juridikisht sanksionet e qeverisë së ShBA

Kompania kineze e teknologjisë Huawei ka vendosur të kundërshtojë në rrugë ligjore vendimin e qeverisë amerikane për të ndaluar përdorimin e pajisjeve të kompanisë për të gjitha agjencitë federale dhe kontraktorët e tyre. Ankimi i Huawei është depozituar në gjykatën e Teksasit dhe përmes tij kompania kërkon shpalljen si antikushtetues të Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare 2019.

Agjencia Reuters citon këshilltarin ligjor të Huawei, Glen Nager, sipas të cilit seanca dëgjimore do të mbahet në shtator. Edhe kreu i zyrës juridike të Huawei, Song Liuping ka deklaruar se kompania po kërkon rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimet e qeverisë amerikane, e cila këtë muaj e përfshiu atë në listën e zezë të sanksioneve. Ky vendim i fundit prek aktivitetin tregëtar të Huawei në 170 vende.

Sot është telekomi dhe Huawei, nesër mund të jetë kompania juaj, industria dhe klientët tuaj, u shpreh Liuping.

Në kontekstin e akteve të qeverisë amerikane, disa kompani kryesore, përfshirë Google deklaruan se do të ndërpresin shërbimet për pajisjet telefonike Huawei, çka sipas zyrtarëve të kësaj të fundit vendos precedent të rrezikshëm dhe çon në fragmentarizim të tregut global./respublica

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne