Gjirokastër/ Masat ndaj zjarreve, 130 forca dhe 11 zjarrfikëse në gatishmëri

Pas ngjarjeve tragjike të ndodhura në zonën e Atikës në Greqi ku shumë persona humbën jetën dhe u plagosën si pasojë e zjarreve masive, janë shtuar masat mbrojtëse ndaj zjarreve nga organet ligjzbatuese shqiptare, të cilat kanë vendosur në gatishmëri flotat e tyre zjarrfikëse.

Në kuadër të këtyre masave, prefektura e Gjirokastrës ka angazhuar rreth 11 zjarrfikëse dhe 130 forca të cilat do t’u përgjigjen emergjencave të shkaktuara në rast zjarri.

Prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj bëri me dije për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se takimet e jashtëzakonshme të krijuara nga institucioni i Prefektit kanë si synim parandalimin e tragjedive, si ajo e shkaktuar në Atika në zonën e Athinës.

“Janë marrë një sërë masash gjatë gjithë kësaj periudhe ku është bërë një plan masash i detajuar si dhe është bërë sensibilizimi në të gjitha bashkitë e qarkut, me përfaqësimin e administratorëve të njësive administrative me kryetarët e fshatrave, Policinë e Shtetit, me inspektoriatet dhe të gjitha organet ligjzbatuese, ku kemi sensibilizuar për masat që do të marrim dhe në gatishmërinë që do të ofrojmë në çdo situatë që mund të na krijohet në qark”, – theksoi Aliaj.

Prefektura e Gjirokastrës për të evituar zjarret e shkaktuara në mënyrë të qëllimshme, siç janë ato për kullota, ka vendosur që të japë me qira disa nga kullotat verore, ku individët që do t’i marrin do të jenë përgjegjës nëse në kullotën e tyre shfaqen vatra zjarri.

“Kjo është materializuar edhe me marrëveshjet që kanë bërë bashkitë për dhënien me qira të kullotave verore, duke bërë që këta njerëz që firmosnin këtë aktmarrëveshje me bashkinë, detyrohen nga ana ligjore që të mbajnë përgjegjësi për këto kullota nëse në to do të shfaqen vatra zjarri. Deri tani raportimi bëhet çdo ditë, ku njësitë administrative bëjnë një raportim ditor në prefekturë për këto masa dhe për çdo situatë që mund të krijohet si pasojë e ndonjë zjarri, – shtoi ai.

Për të evituar rastet e zjarrit dhe mënyrën e ndërhyrjes për shuarjen e tyre trupat zjarrfikëse në këtë qark po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta, jo vetëm për të ndërhyrë në zonat pyjore, por edhe në qendrën e qytetit në rast se do të evidentohen vatra zjarri.

“Gjithashtu në gatishmëri janë mjetet zjarrfikëse si dhe trupa e cila ka kryer edhe disa stërvitje, sidomos në qytetin e Gjirokastrës në zonën muzeale për të reaguar nëse në këto zona bie zjarr, pasi vatra zjarri nuk ka vetëm në kullota dhe pyje, por edhe në qytet si rezultat i përdorimit të keq të lëndëve drusore si dhe gazit. Kemi patur tre raste të tilla në Gjirokastër dhe falë ndihmës dhe mbështetjes nga ana e zjarrfikësve këto probleme janë lokalizuar pa pasoja në njerëz”.

I pyetur rreth angazhimit të flotës dhe trupës së zjarrfikësve, Prefekti Aliaj theksoi se: “Aktualisht drejtoria e Gjirokastrës ka disa mjete zjarrfikëse, pasi kjo e fundit trashëgoi flotën në rang prefekture, sepse para 2 vitesh këto vareshin nga prefekti ndërsa me strukturën e re u ka kaluar bashkive. Çdo repart zjarrfikës në 7 bashkitë e qyteti ka nga 13 punonjës ndërsa zjarrfikësja e Gjirokastrës ka rreth 45-50 punonjës të gatshëm për t’ju përgjigjur emergjencave të krijuara nga zjarret. Aktualisht të paplotësuar me mjete zjarrfikëse janë bashkitë Memaliaj dhe Libohovë, të cilat nuk kanë mjete, por disponojnë trupën si dhe mjete më pak të sofistikuara për shuarjen e zjarreve, si pompa, etj”, – theksoi Aliaj.

Me qëllim shmangien e zjarreve dhe humbjeve njerëzore, Prefektura e Gjirokastrës ka urdhëruar që të gjitha rrugët që janë problematike për qarkullimin e mjeteve zjarrfikëse të zhbllokohen. Gjatë natës në zonën muzeale nuk do të bllokohen rrugët, një kërkesë kjo drejtuar policisë bashkiake të Gjirokastrës.

Burimi: ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne