Gjoba për personat që keqtrajtojnë kurbanët

Në Turqi do të zbatohen gjoba prej 540 deri në 2.752 lira (131 deri në 668 euro) për personat që do të keqtrajtojnë kurbanët gjatë therjes me rastin e festës së Kurban Bajramit, tha ministri turk i Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Veysel Eroğlu.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Eroğlu porositi që kurbanët duhet të theren nga persona kompetentë dhe në përputhje me frymën e këtij riti fetar, duke shtuar se kafshët e kurbanit duhet therur pa u shkaktuar dhimbje dhe duke pasur kujdes ndaj rregullave higjienike.

“Therja e kafshëve bëhet sipas rregullave të posaçme fetare, pa e trembur kafshën, me dhimbjen më të vogël që është e mundur dhe duke zbatuar rregullat higjienike”, tha Eroğlu.

Ai njoftoi se personat që shpërfillin këto rregulla do të ndëshkohen me 1.097 lira (266 euro) për kokë kafshe.

Ndërkaq, Eroğlu paralajmëroi gjoba prej 2.752 lirash për kokë kafshe për shkelje të rregullores ligjore e cila parasheh që shërbimet lidhur me kurbanët të administrohen nga Drejtoria për Çështje Fetare e Turqisë.

Ministri turk më tej njoftoi se gjobat do të zbatohen ndaj çdo lloji të keqtrajtimit ndaj kafshëve.

“Sipas ligjit për mbrojtjen e kafshëve, keqtrajtimi i qëllimshëm ndaj kafshëve dhe sjelljet e pamëshirshme dhe dëmtuese, rrahja, lënia në uri dhe etje, ekspozimi në temperatura të ngrohta apo të ftohta ekstreme, moskujdesi ndaj tyre, shkaktimi i dhimbjes fizike dhe psikologjike janë të ndaluara dhe personat që shkelin këtë rregullore ndëshkohen me 546 lira”, tha Eroğlu.

Eroğlu tha se inspektimi i procesit të therjes së kurbanëve do të bëhet nga departamentet lokale të ministrisë në bashkëpunim me pushtetin lokal.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne