Gjurmë racizmi në ditarët e Einsteinit

Albert Einstein, fizikanti austriak me origjinë hebreje dhe një ndër shkencëtarët më të shquar të historisë i cili më së miri njihet për teorinë e relativitetit, ka shkruar përshtypjet e tij me pikëpamje që janë vlerësuar si raciste, mizogjiniste dhe ksenofobe në lidhje me popujt aziatikë në ditarët që ka mbajtur gjatë udhëtimit në Lindjen e Largët dhe Mesdhe në fillim të viteve të 20-ta të shekullit të kaluar, transmeton Anadolu Agency.

Instituti Teknologjik i Kalifornisë ka përmbledhur ditarët e fizikantit që i përkasin udhëtimit të tij me anije në Lindjen e Largët dhe Mesdhe në periudhën tetor 1922-mars 1923 nën titullin “Ditarët e udhëtimit të Albert Einsteinit: Lindja e Largët, Palestina dhe Spanja 1922-1923”, thuhet në një lajm të gazetës Washington Post.

Në shkrimet në fjalë, vëmendje tërheq përdorimi i fjalëve të ftohta dhe poshtëruese nga ana e Einsteinit. Megjithatë, siç thuhet, këto përshtypje të Einsteinit janë shkruar para se ai të njihej me persekutimin nazist dhe me lëvzijet shoqërore për ngritjen e vetëdijes rreth racizmit në vitet pas luftës në SHBA.

“Gratë japoneze janë shumë të zbukuruara dhe të hutuara”

Një japonez mesatar, shkruan Einstein në ditarin e tij rreth udhëtimit në stacionin e parë, Japoni, “është joproblemike, jopersonale, me gëzim e përmbush funksionin shoqëror pa pritshmëri, por krenar për bashkësinë dhe kombin e tij. Lënia e mënyrave të tij tradicionale në favor të atyre evropiane nuk e minon krenarinë e tij kombëtare”.

Gjersa për meshkujt japonezë Einstein ka përdorur shprehje më të distancuara dhe përgjithësuese, shkrimet e tij shihen të jenë më të pamatura dhe mizogjiniste kur bëhet fjalë për femrat.

“Gratë japoneze duken të zbukuruara dhe të hutuara … Me sy të zinj, me flokë të zeza, me kokë të madhe, me hapa të shpejtë”, ka shkruar Einstein.

“Kinezët më shumë i ngjajnë automatit sesa njerëzve”

Në shënimet e Einsteinit nuk kanë kaluar pa u përmendur as kinezët.

Einstein i përshkruan kinezët si “të çuditshëm dhe popull si kope”.

“Më shumë i ngjajnë automatit sesa njerëzve”, shkruan Einstein.

Duke cituar një mësues portugezë që kishte njoftuar gjatë udhëtimit, Einstein shkruan se kinezët nuk mund të mendojnë logjikisht dhe nuk janë të talentuar për matematikë.

“Do të ishte e dhimbshme sikur kinezët të ishin rasa e vetme në botë. Për ne, madje vetëm një mendim i tillë është i frikshëm”, ka shkruar Einstein.

“Indianët dhe srilankanët punojnë pak, kanë nevojë për pak gjëra”

Në përshtypjet e shkruara rreth popullit indian dhe atij srilankat gajtë udhëtimit në Sri Lankë, Einstein ka shkruar edhe për simpatinë ndaj lypësve në rrugë.

Edhe pse për ta ai ka shkruar se ndihet “i turpëruar nga të qenët bashkëpunëtor në trajtimin e neveritshëm ndaj një trajtimi të këtillë të neveritshëm ndaj njerëzimit”, shprehjet e tij shfaqin një poshtërim ndaj tyre, kur shkruan se ata “jetojnë në pisllëk dhe erë të keqe dhe punojnë pak dhe kanë nevojë për pak gjëra”.

“Mesdhetarët e lindjes janë grup që bërtasin”

Në pjesën e fundit të udhëtimit të tij, Einstein viziton Mesdheun Lindor dhe në territorin e Palestinës së sotme. Ai shkruan se tregtarët arabë kishin rrethuar anijen që ishte ndalur në port dhe për një çast e kishin “shndërruar në treg” kuvertën.

Sipas tij, mesdhetarët lindorë janë “grup njerëzish me ngjyra të ndryshme që bërtasin dhe gjestikulojnë”.

Ndërkaq, Einstein i konsideron edhe të “neveritshëm” por edhe “të bukur” njerëzit e Lindjes së Mesme, ndërkohë që i përshkruan me fjalët “sikur hajdutë” dhe “të pistë”, por në të njëjtën kohë “të bukur dhe të hijshëm”.

Përshtypjet reflektojnë pipëpamjet e intelektualit evropian të kohës së kolonializmit

Publikuesit e librit janë shprehur se ditarët e Einsteinit janë shkruar para Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit dhe para se ai të njihej me grupet shoqërore që mbrojtën të drejtat e afroamerikanëve në SHBA pas luftës dhe se ato reflektojnë pikëpamjet e intelektualit evropian të periudhës së kolonializmit.

Dhjetë vite pas këtij udhëtimi, Einstein në vitin 1932 u nis me anije për një vizitë tremujore në SHBA së bashku me bashkëshorten e tij. Një muaj pas largimit nga Gjermania, në pushtet erdhi Partia Naziste, me ç’rast Einstein më asnjëherë nuk u kthye në Gjermani. Ai i vazhdoi aktivitetet shkencore në SHBA deri në fund të jetës.

Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, Einstein mbështeti lëvizjet e të drejtave civile kundër racizmit dhe diskriminimit ndaj afroamerikanëve në SHBA, për çka ai madje ishte përcjellur nga ana e Byrosë Federale Investigative (FBI).

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne