Shqiperia

Gjykata holandeze shpëton Arben Frrokun nga burgimi i përjetshëm

Arben Frroku, i dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në vitin 2013, i ka shpëtuar përfundimisht këtij vendimi.

Sipas medias holandeze ‘De Telegraaf’, Gjykata e Amsterdamit ka vendosur ndaj tij dënimin me 18 vite burgim, duke zbritur kohën e qëndrimit në paraburgim në Shqipëri dhe në Greqi.

Lajmi është konfirmuar edhe nga avokati i Arben Frrokut, Gerald Roethof, i cili ka thënë se në Holandë ‘nuk mund të aplikohen të njëjtat vendime të gjykatave të huaja për shtetasit e huaj’, raporton ‘De Telegraaf’.

Arben Frroku u arrestua në Holandë në Prill të vitit 2016 me dokumente të falsifikuara greke me identitetin Renato Xhepa.

Ai u kap në provincën Shiphol pranë aeroportit ndërkombëtar të Amsterdamit. Pas arrestimit të tij, ka patur një proces të gjatë gjyqësor për ekstradimin e Frrokut drejt Shqipërisë.

Përfundimisht, Gjykata e Apelit në qytetin e Hagës vendosi që të mos ekstradojë Arben Frrokun në vendin tonë, me argumentimin se procesi gjyqësor i zhvilluar në Shqipëri, ka pasur probleme dhe vendimi mund të ketë qenë i ndikuar politikisht.

Pas rrëzimit të ekstradimit, Ministria shqiptare e Drejtësisë ka kërkuar që dënimi të zbatohet në Holandë.

Arben Frroku është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit më 29 Qershor 2015. Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, Frroku ishte shpallur i pafajshëm. Por, kur Apeli e dënoi përfundimisht me burgim përjetë, Arben Frroku ishte larguar nga Shqipëria dhe nuk gjendej. Dy ditë pas këtij vendimi, autoritetet shqiptare e shpallën atë në kërkim ndërkombëtar. /tvklan

OPINIONE